Vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Klosit, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të zallit të Darsit, pas aksidentit të ndodhur më 10 janar të këtij viti.
Që nga dita e ngjarjes, kërkimet janë përqendruar përgjatë rrjedhës së lumit Mat, ku çdo ditë në terren janë angazhuar dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të 30-vjeçarit, si dhe struktura të tjera mbështetëse.
Ndërkohë, prej 29 janarit, operacionit të kërkimit i është bashkuar edhe një grup i specializuar nga Kosova, me mbi 11 efektivë që çdo ditë punojnë krah forcave shqiptare në terren.
Sipas burimeve zyrtare, e gjithë vija lumore e Matit është kontrolluar disa herë, por deri më tani nuk është gjetur as trupi i 30-vjeçarit dhe as ndonjë gjurmë e tij. Paralelisht, kërkime po zhvillohen edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.
Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë përdorur edhe një dron nënujor në hyrje të liqenit, duke mundësuar kontrollin në thellësi. Kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa rënia e prurjeve të lumit Mat ditët e fundit pritet të lehtësojë punën e grupeve të angazhuara.
Lini një Përgjigje