Gjykata e Apelit në Peruxhia ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për 55-vjeçarin shqiptar, i cili u vu në pranga më 17 janar në zonën Ferro di Cavallo, pasi u kap me 1,085 gramë kokainë.
Vendimi është marrë dje, më 3 shkurt, pas një seance dëgjimore, ku ishte e pranishme edhe avokatja e të dyshuarit, Daniela Paccoi.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi gjatë një kontrolli nga karabinierët në Via delle Caravelle, ku 55-vjeçari tentoi t’i shmangej forcave të rendit. Gjatë ndjekjes, ai dyshohet se ka hedhur nga dritarja e automjetit të tij, një “Fiat Panda”, një qese të madhe që përmbante lëndën narkotike, në Via Cristoforo Colombo.
I dyshuari u ndalua nga një patrullë pranë supermarketit Eurospin, në zonë. Sipas autoriteteve, ndjekja paraqiti rrezik edhe për vetë efektivët.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa autoritetet italiane po verifikojnë rrethanat dhe përgjegjësitë penale të 55-vjeçarit.
Lini një Përgjigje