TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Shkurt 2026, 20:44

Nga ryshfeti te përdorimi i drogës, pezullohen 5 policë, mes tyre edhe efektivi i përfshirë në përplasjen me armë në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti
Nga ryshfeti te përdorimi i drogës, pezullohen 5 policë, mes
Policia e Shtetit

Janë pezulluar nga detyra 5 policë

Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës të Qarkullimit Rrugor dhe ku njëri prej tyre dyshohet se ka marrë ryshfet nga një drejtues automjeti për të shmangur masën administrative, Policia e Shtetit ka marrë masa të menjëhershme.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar nga detyra dy inspektorë të Policisë Rrugore në Fier, për shkelje të rëndë disiplinore dhe dyshime për veprime korruptive.

Sipas njoftimit zyrtar, efektivët kanë vepruar në kundërshtim me procedurat standarde gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, duke cenuar rëndë imazhin e institucionit.

Ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor, ndërsa rasti po verifikohet edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit njofton se janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës të tjerë policie në qarqe të ndryshme të vendit. Njëri prej tyre është ndaluar me urdhër të Prokurorit për shpërdorim detyre, një tjetër dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike, ndërsa një efektiv i tretë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mes efektivëve të pezulluar është edhe Besart Kovaçi, i cili shoqëronte Merando Nikulajt në momentin e përplasjes me armë në Lezhë.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar nga detyra:

Inspektor B. K., i cili më 2 shkurt 2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Rrilë të Lezhës më 1 shkurt 2026.

Inspektor E. P., Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, i dyshuar për përdorim të lëndëve narkotike.

Inspektor E. B., Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, i arrestuar më 2 shkurt 2026 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si i dyshuar për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

policia pezullim

Lini një Përgjigje