Gjykata e Tiranës ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për katër persona, të dyshuar për tregti të paligjshme armësh, të cilat reklamonin përmes platformave dixhitale.
Të arrestuarit janë Glorian Nezaj, Rezarto Rumi, Klevin Caushi dhe Ardian Caushi. Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se merreshin me shitblerje armësh zjarri, duke i ekspozuar dhe promovuar përmes rrjeteve sociale.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, prokurori i çështjes, Ridvan Suka, deklaroi se hetimet nisën pas disa komunikimeve të dyshimta në rrjetet sociale, ku ishte identifikuar edhe një video në të cilën shfaqeshin dhjetë armë automatike të llojit kallashnikov.
Pas sigurimit të videos, Prokuroria regjistroi procedimin penal në qershor të vitit 2025 dhe urdhëroi përgjime dhe vëzhgime të fshehta, të cilat zgjatën për disa muaj. Sipas organit të akuzës, veprimtaria e dyshuar kriminale zhvillohej kryesisht përmes aplikacionit të koduar Signal.
Në kuadër të hetimeve, më 12 janar 2026 u realizua blerja e kontrolluar e një pistolete. Më 19 janar u krye një tjetër blerje e një arme gjysmë automatike, ndërsa më pas u dokumentua edhe tentativa për shitjen e tre armëve të tjera, njëra prej të cilave ishte e pajisur me silenciator.
Gjatë kontrollit në një ambient privat të përdorur nga të dyshuarit, Policia gjeti dhe sekuestroi armë zjarri, jelekë antiplumb si dhe radiomarrëse, të cilat mbanin mbishkrimin “Bondi”.
Hetimet për këtë çështje vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht rrjetin e dyshuar të trafikut të armëve.
Lini një Përgjigje