Prej pothuajse 1 ore, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ka nisur mbledhja e zgjeruar e grupit parlamentar socialist që po zhvillohet me dyer të mbyllura. Në focus të kësaj mbledhjeje, sipas një agjende të publikuar më parë, janë çështjet e integrimit, por edhe investimi në Zvërnec, për të cilin Kryeministri ka deklaruar vendosmërinë për ta çuar deri në fund, pavarësisht kundërshtive nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile, që janë pasuar edhe me protesta.
Rama vendosi të thërrasë mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar, ku përfshihen ministra dhe deputetë, në një kohë kur protestat kundër tij kanë hyrë në ditën e 21-të. Pothuajse çdo ditë Kryeministri ka sulmuar direkt ose indirekt protestuesit, të cilët i kërkojnë dorëheqjen, ndërsa lëvizja e tyre është pagëzuar si “revolucioni flamingo”.
Nuk dihet nëse gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar me ministrat do të komentohen edhe çështjet e brendshme të Partisë Socialiste, që lidhen me largimin e Marjana Koçekut si deputete e PS-së, apo deklaratat dhe qëndrimet e Elisa Spiropalit lidhur me protestat. Po kështu nuk dihet nëse nga deputetët socialistë, përfshi edhe Spiropalin, do të ketë ose jo diskutime apo debate, apo pyetje drejtuar Kryeministrit, por ajo që dihet është se askush prej ligjvënësve nuk do të mund të flasë më shumë se dy minuta. Kjo të paktën sipas agjendës mbi të cilën është ndërtuar mbledhja.
Nga ajo që raportohet është se fillimisht mbledhja e grupit ka nisur me një fjalim të Taulant Ballës, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, dhe më pas ishte Kryeministri Edi Rama që ka marrë fjalën.
Nga raportimet mësohet se kjo mbledhje parashikohet të zgjasë deri në orët e pasdites, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ketë reagime publike nga Kryeministri apo zyrtarë të tjerë të PS-së lidhur me zhvillimet e saj.
Mbledhje të këtij formati, socialistët po i zhvillojnë çdo muaj në kuadër edhe përgatitjes për procesin e integrimit europian, axhendën parlamentare dhe ligjet që duhet të çojnë përpara.
Lini një Përgjigje