Policia e Shkodrës ka arrestuar autorin e plagosjes me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e Urës së Dervishbegut.
Sipas policisë, shtetasi Ivzin Gucia, 39 vjeç, pronar i një servisi, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Genc Hoxha, 45 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si pasojë e të shtënave, 45-vjeçari ka marrë plagosje në këmbë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Pas njoftimit për ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Krimeve të Rënda dhe të mbështetur nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, organizuan menjëherë punën për kapjen e autorit.
Falë reagimit të shpejtë të policisë, autori u identifikua dhe u arrestua brenda pak minutash, ndërsa gjatë veprimeve u bë edhe sekuestrimi i armës së zjarrit, një pistoletë, të cilën ai e posedonte me leje.
Policia po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje