Janë publikuar pamje të reja që tregojnë momentin e grabitjes së një pike këmbimi valutor në zonën “5 Maji” në Tiranë, ku një 42-vjeçar mori një shumë parash nën kërcënimin e armës.
Ngjarja ndodhi gjatë ditës së sotme brenda një qendre tregtare. Autori, i identifikuar si Luan Maci, iu afrua arkëtares dhe e kërcënoi me pistoletë për të marrë paratë nga kasa.
Në pamje duket se gjatë momentit të grabitjes një pjesë e kartëmonedhave bie në tokë, ndërsa autori largohet me shumën që dyshohet të jetë rreth 3 milionë lekë.
Policia identifikoi 42-vjeçarin pas ngjarjes dhe e lokalizoi në një kohë të shkurtër. Forcat e rendit e arrestuan dhe sekuestruan armën e zjarrit pistoletë, një pjesë të parave të marra dhe veshjen që dyshohet se përdori gjatë grabitjes.
Hetimet tregojnë se i arrestuari ka pasur edhe më parë probleme me ligjin për veprimtari të ngjashme kriminale.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje, në rrugën “5 Maji”, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-L. M., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se duke kanosur punonjësen, me arme zjarri pistoletë, ka vjedhur rreth 3 milionë lekë, në një dyqan këmbimi valutor, brenda një qendre tregtare, në rrugën “5 Maji”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."-njofton policia.
Lini një Përgjigje