Një konflikt mes dy personave në Shkodër përfundoi me plagosjen e një 45-vjeçari në këmbë. Personi i dëmtuar, Genc Hoxha, dhe Izvin Gucija, i dyshuar si autor i të shtënave, kanë dhënë dëshmi të ndryshme për Policinë Vendore të Shkodrës.
Sipas deklarimit të Gucisë, konflikti lidhet me një shërbim të kërkuar në servisin e tij. Hoxha kishte shkuar për të riparuar grupin e timonit të automjetit. Pronari i servisit i kishte sqaruar se nuk dispononte pjesë të re, por vetëm një të përdorur. Pas kontrollit të makinës, ai kishte marrë 10 mijë lekë të vjetër për verifikimin teknik.
Gucija ka shpjeguar se pas këtij momenti mes tyre kishte lindur një debat. Ai pretendon se Hoxha e kishte ofenduar, ndërsa vetë kishte shmangur përshkallëzimin e konfliktit për shkak se ishte duke agjëruar.
Sipas dëshmisë së tij, një ditë më vonë të dy janë takuar sërish në një rrugicë pranë servisit. Gucija pretendon se gjatë përballjes Hoxha e kishte fyer përsëri dhe kishte tentuar ta godiste me sende të forta. Në këto rrethana ai ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar në këmbë, duke deklaruar se ka vepruar për vetëmbrojtje dhe pa qëllim për ta vrarë.
Nga ana tjetër, Genc Hoxha ka mohuar këto pretendime. Ai ka deklaruar se nuk ka shkaktuar konflikt dhe se takimi kishte karakter sqarues. Sipas tij, pronari i servisit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij pa provokim.
Policia ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë që dyshohet se i përket armës së përdorur. Autoritetet sekuestruan gjithashtu pistoletën, të cilën i dyshuari e dorëzoi pas arrestimit, që ndodhi pak minuta pas ngjarjes pranë banesës së tij.
Grupi hetimor vazhdon veprimet për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë e plota të incidentit.
Lini një Përgjigje