Është zbardhur dëshmia e Luan Maçit, autorit të dyshuar të grabitjes me armë të një pike këmbimi valutor brenda qendrës tregtare “Concord”, në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.
Sipas burimeve policore, 42-vjeçari fillimisht i ka mohuar akuzat për grabitjen e rreth 300 mijë lekëve të reja. Megjithatë, gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët kanë gjetur në lavatriçe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes, si dhe një brisk rroje, prova që e kanë lidhur me ngjarjen.
Pas përballjes me këto prova, Maçi ka pranuar autorësinë dhe ka shpjeguar motivet dhe mënyrën se si kishte planifikuar grabitjen.
“Planifikoja grabitjen që më përpara, por pas tentativës për të grabitur bankën në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe vendosa ta shtyja. Isha i detyruar, sepse kam shumë borxhe dhe një nënë të sëmurë në gjendje shumë të rëndë,” mësohet të ketë deklaruar ai para hetuesve.
Sipas burimeve pranë policisë, pas grabitjes 42-vjeçari është larguar pa nxitim nga qendra tregtare. Ai ka hyrë në këmbë në tregun e Medresesë dhe më pas ka dalë në anën e pasme përmes disa rrugicave. Arma e përdorur dyshohet se është fshehur fillimisht në një pusetë.
Më pas, Maçi ka marrë një taksi dhe është kthyer në banesën e tij. Për të shmangur identifikimin, ai ka rruar mjekrën dhe gjatë shoqërimit në polici ka pretenduar se efektivët kishin ngatërruar personin.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur vetëm 15 mijë lekë të reja nga shuma e grabitur, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se është përdorur për shlyerjen e borxheve. Megjithatë, sipas burimeve hetimore, dëshmia e tij përmban disa kontradikta lidhur me mënyrën se si janë përdorur paratë.
Lini një Përgjigje