Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti në gjykatë mënyrën se si identifikoi personat që përdornin kode në platformën e enkriptuar Sky ECC në procesin ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes. Të dy përballen me akuza për përfshirje në organizimin dhe financimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos.
Prokurorët shpjeguan se hetuesit analizuan komunikimet e zhvilluara në aplikacion, fotografitë e dërguara dhe të dhënat personale që përdoruesit shkëmbyen gjatë bisedave. Nga kjo analizë ata lidhën profilet e përdorura në platformë me persona konkretë.
Sipas prokurorisë, disa përdorues përdorën pseudonime që lidhen me emrat e tyre. Në raste të tjera identifikimi u bë përmes informacioneve personale që vetë përdoruesit ndanë në biseda.
Në rastin e Plaurent Dervishajt, hetuesit gjetën një fotografi të dërguar në komunikime ku kërkohej mbyllja e një adrese emaili. Në të njëjtat biseda u përfshinë edhe të dhëna familjare, si emrat e fëmijëve dhe datat e lindjes së tyre. Verifikimet treguan se këto informacione i përkasin Dervishajt.
Hetuesit përdorën një metodë të ngjashme edhe për identifikimin e Julian Meçes. Në komunikime u shpërndanë fotografi dhe të dhëna që i lejuan autoritetet të lidhnin profilin e përdorur në Sky ECC me identitetin e tij.
Prokuroria bëri të ditur se në disa raste përdoruesit janë vetëidentifikuar gjatë bisedave duke dhënë të dhëna që çojnë drejtpërdrejt te identiteti i tyre.
Një tjetër identifikim lidhet me numrin e telefonit të avokatit të Redjan Rrajës. Në komunikime u dërgua një fotografi ku shfaqej numri i telefonit. Pas verifikimeve, hetuesit gjetën një memo të përgatitur nga avokati, e cila ndihmoi në identifikimin e Ramazan Rrajës.
Lini një Përgjigje