Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Rrugën e Kombit, në vendin e quajtur Kolsh, në segmentin Kukës-Tunel.
Një mjet i tonazhit të rëndë me targa “AB 891KA” ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe ka dalë nga rruga, duke rrezikuar të përfundojë në greminë. Kamioni ka mbetur i varur pranë barrierës mbrojtëse, ndërsa situata ka krijuar momente paniku për drejtuesin e mjetit dhe drejtuesit e tjerë që po kalonin në atë segment rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një problem në sistemin e frenimit, çka mund të ketë bërë që shoferi të humbasë kontrollin e mjetit.
Fatmirësisht, drejtuesi i kamionit ka arritur të dalë në kohë nga kabina dhe nuk ka pësuar lëndime.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe shërbimet rrugore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për largimin e mjetit nga zona.
Lini një Përgjigje