Gjykata e Sarandës zbuti masat e sigurisë për efektivët Kristofor Shkrepa dhe Kastriot Sotka, duke i lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa konfirmoi “arrestin me burg” për pronarin e hotel “Oasis”, Alqi Papa, në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil. Papa rezulton vëllai i Edmond Papës, i ekzekutuar në vitin 2022.
Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për dy policët e arrestuar për ndërtimet pa leje në Sarandë e Ksamil, ndërsa la në fuqi “arrestin me burg” për Alqi Papën.
Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masat e sigurisë për dy efektivët e Policisë të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil, të lidhura me skandalin e njohur si “Copacabana”.
Mësohet se efektivët Kristofor Shkrepa dhe Kastriot Sotka janë lënë në masën “arrest shtëpie”, duke zbutur vendimin e mëparshëm ndaj tyre. Më herët, në të njëjtën masë sigurie ishte lënë edhe punonjësi tjetër i Policisë, Blerim Tafçiu.
Ndërkohë, Gjykata ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për pronarin e hotel “Oasis”, Alqi Papa, i arrestuar në të njëjtën ditë me efektivët e Policisë.
Arrestimet u kryen në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje në zonën bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit, ndërsa çështja ka sjellë reagime të forta për shkak të dyshimeve mbi lejimin dhe mosndalimin e ndërtimeve në kundërshtim me ligjin.
Alqi Papa, pronari i hotel “Oasis” i arrestuar në Sarandë. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria ka sekuestruar një kat të dyshuar të ndërtuar pa leje mbi tarracën e hotelit 6-katësh në rrugën “Butrinti”, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar.
Si nisi aksioni në Sarandë?
Arrestimi i tre efektivëve të Policisë dhe i pronarit të hotel “Oasis”, Alqi Papa, më 26 maj, erdhi pas lëshimit të 12 masave të sigurisë nga Prokuroria e Sarandës në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje, pas skandalit me beach-barin “Copacabana”.
Objekti, i ndërtuar pa leje buzë detit, u shemb më pas nga IKMT, ndërsa hetimet zbuluan dyshime për tolerim të paligjshmërisë nga zyrtarë të Policisë dhe institucioneve vendore. Njëri prej efektivëve të arrestuar, Blerim Tafçiu, u la menjëherë në masën “arrest shtëpie”.
Skandali çoi edhe në shkarkimin e kupolës drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi drejtues dhe efektivë dyshohet se kishin mbyllur sytë ndaj ndërtimeve të paligjshme në këmbim të ryshfeteve.
Masë sigurie është lëshuar edhe për pronarët e “Copacabana”, Arjola Dhrami Bajo dhe Xhaferr Bajo, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe kreu i IMT-së së Sarandës, Eduart Veli, si dhe tre punonjësit e institucionit, Ilia Gjika, Romelio Kadëna dhe Elvis Memushi.
Lini një Përgjigje