TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Maj 2026, 14:00

Hetime të reja për vetëflijimin e Xhuana Nikollajt, AMP verifikon veprimet e Komisariatit nr.2

Shkruar nga Pamfleti
Hetime të reja për vetëflijimin e Xhuana Nikollajt, AMP verifikon
Xhuana Nikollaj

Dy muaj e gjysmë pas vetëflijimit të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj në Tiranë, ngjarja vijon të mbetet e mbuluar nga misteri, ndërsa dalin në dritë detaje të reja që kanë shtyrë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore të nisë hetime ndaj Komisariatit nr.2.

Sipas "A2 CNN", bëhet me dije se prej dy javësh AMP po verifikon veprimet hetimore të kryera nga efektivët që u morën me zbardhjen e rastit, pasi dyshohet se mund të ketë pasur neglizhencë në trajtimin e çështjes.

Në qendër të hetimeve mbetet ish-bashkëshorti i 25-vjeçares, Eraldo Fizi, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shkaktim i vetëvrasjes”. Megjithatë, dyshohet se edhe persona të tjerë mund të kenë dijeni apo rol në rrethanat që çuan në ngjarjen tragjike.

Sipas familjarëve të Xhuanës, telefoni i saj ende nuk është këqyrur plotësisht nga hetuesit, ndërsa telefoni i shoqes së saj të dhomës nuk është sekuestruar. Shoqja rezulton të ketë dhënë vetëm një deklaratë në spital dhe më pas nuk është marrë më në pyetje.

Të afërmit pretendojnë se shoqja e 25-vjeçares insistonte vazhdimisht që ajo të takohej me Eraldo Fizin, duke e telefonuar sa herë Xhuana ndodhej te motrat e saj.

Një tjetër element që ka ngritur dyshime lidhet me kontrollin e banesës pas ngjarjes. Fillimisht, policia deklaroi se nuk kishte gjetur fostoksinë në apartament, por dy ditë më vonë familjarët thanë se e zbuluan lëndën pranë sendeve personale të Xhuanës dhe njoftuan sërish autoritetet.

Pyetja që po ngrihet është se si kjo provë nuk u konstatua gjatë kontrollit të parë nga policia.

Sipas autopsisë, në trupin e 25-vjeçares janë konstatuar shenja dhune, të cilat familjarët pretendojnë se janë të dukshme edhe në fotot që disponojnë.

Pas hetimeve, bëhet me dije se natën e ngjarjes, Eraldo Fizi e kishte marrë Xhuanën dhe e kishte dërguar në Shëngjin, ku dyshohet se ajo është dhunuar në automjet. Dyshohet se për këtë kishte dijeni edhe shoqja e saj.

Pas kthimit në Tiranë, automjeti i Fizit është gjobitur rreth orës 03:00 pranë ish-sheshit “Shqiponja” për tejkalim shpejtësie. Më pas, ai dyshohet se e ka lënë Xhuanën në banesën ku jetonte me qira, ndërsa të nesërmen e reja kreu aktin ekstrem të vetëflijimit.

Eraldo Fizi vijon të jetë në arrati, ndërsa disa tentativa të policisë për arrestimin e tij kanë dështuar.

Lini një Përgjigje