Sueld Elezi është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të GJKKO-së, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Elezi njihet si anëtar i grupit të “Visit të Pojës” dhe është shpallur në kërkim në kuadër të dosjes së koduar “Ura”.
Prokuroria e akuzon se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka trafikuar 2 kilogramë kokainë drejt Italisë. Ndërsa gjatë vitit 2021, dyshohet se, së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kilogramë kokainë në Itali.
"U ekstradua nga Italia në Shqipëri, shtetasi Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”. Ky shtetas akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje