Policia ka zbardhur plagosjen me armë të 34-vjeçarit Juxhin Hamajezi, duke identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 26 majit në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 34-vjeçari Juxhin Hamajezi.
Sipas autoriteteve, pas hetimeve të kryera nga Komisariati i Policisë Nr. 4, është identifikuar autori i dyshuar i plagosjes, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në kërkim është shpallur shtetasi Klodian Kallo, 31 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes për motive të dobëta, ndërsa bashkëpunëtorë dyshohet se janë Gjergji Lleshi, 36 vjeç dhe Lulzim Mejdani, 45 vjeç.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe automjetin që dyshohet se është përdorur në vendngjarje.
Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e tre të shpallurve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rolit të secilit në ngjarje.
Ndërkohë, i plagosuri Juxhin Humajezi ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.
“Si rezultat i hetimeve, zbardhen autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të kryer më datë 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij.
Gjendet dhe sekuestrohet me cilësinë e provës materiale, 1 automjet i cili është përdorur në vendngjarje.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, rreth mesnatës së datës 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç.
Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit.
Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje