Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur pak para mesnatës së 26 majit në zonën e Kinostudios, në Tiranë.
Sipas informacioneve nga hetimet, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona, njëri si autor i dyshuar i plagosjes së 34-vjeçarit Juxhin Humajezit dhe dy të tjerët si bashkëpunëtorë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se konflikti ka nisur për një automjet me vlerë rreth 30 mijë euro. Dyshohet se 34-vjeçari i plagosur kishte marrë automjetin nga autori i dyshuar, por nuk i kishte dhënë shumën e parave.
Për këtë arsye, autori ka shkuar në lokalin ku ndodhej i riu për t’i kërkuar paratë. Fillimisht mes tyre ka pasur debat verbal, i cili më pas ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas hetimeve, autori ka qëlluar dy herë në drejtim të 34-vjeçarit, duke e plagosur një herë në këmbë.
I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa rezulton person me precedentë penalë. Ai është arrestuar më herët për trafik klandestinësh, ndërsa në vitin 2018 kishte shpëtuar nga një atentat.
Gjatë marrjes në pyetje, 34-vjeçari nuk ka pranuar të japë deklarime para hetuesve, ndërsa policia vijon punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje