Janë publikuar pamjet nga ndjekja policore ndaj shqiptarëve pas sulmit me armë që ndodhi të mërkurën pasdite në zonën e Patisionit, në qendër të Athinës, ku një person mbeti i plagosur në këmbë.
Sipas mediave greke, autorët e armatosur hynë në biznesin e viktimës me fytyrat të mbuluara, të veshur me kapele dhe maska të zeza. Ata qëlluan ndaj tij në këmbë dhe më pas u larguan me një automjet ku i priste bashkëpunëtori i tyre.
Në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej një patrullë e njësisë DIAS, e cila nisi menjëherë ndjekjen. Videoja e publikuar tregon momentin kur SUV-i i autorëve humb kontrollin gjatë arratisjes dhe përplaset me automjete të parkuara pranë aksit të Kifisosit.
Gjatë ndjekjes, autorët hodhën armën në kryqëzimin e rrugëve Nirvana dhe Regkoukou. Policia e gjeti më vonë armën brenda një qeseje supermarketi. Automjeti u neutralizua në bulevardin Kifisou, pranë rrugës Tsounta, ndërsa të dyshuarit tentuan të largoheshin në këmbë.
Hetuesit grekë vlerësojnë se plagosja në këmbë tregon se objektivi ishte intimidimi i viktimës dhe jo eliminimi i saj. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të lidhet me çështje të trafikut të drogës.
Tre persona u arrestuan pas operacionit. Sipas policisë greke, dy prej tyre janë shtetas shqiptarë me precedentë të rëndë penalë, ndërsa i treti është shtetas grek, i njohur për autoritetet.
Një dëshmitar okular që ndodhej në vendngjarje deklaroi për mediat greke se viktima kishte humbur shumë gjak dhe bërtiste “më qëlluan”. Ai tha se qytetarët i dhanë ndihmën e parë deri në mbërritjen e ambulancës dhe policisë.
“Pashë që po gjakosej nga këmbët dhe menjëherë u përpoqëm ta ndihmonim. Ishte në gjendje shoku dhe nuk mund të fliste shumë”, tha dëshmitari.
Policia greke vijon hetimet për identifikimin e plotë të motiveve dhe rolit të secilit prej të arrestuarve.
Lini një Përgjigje