
Detaje të reja kanë dalë nga përplasja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes mes policisë greke dhe shqiptarit Astrit Hasani, i njohur me nofkën “Titi”, në zonën e Mikrolimanos, në Pire.
Sipas Policisë Greke, pas neutralizimit të tij, autoritetet zbuluan një arsenal armësh dhe lëndësh narkotike që ai mbante me vete dhe në një çantë shpine pranë vendit të ngjarjes.
Në posedim të tij u gjetën dy pistoleta të mbushura dhe gati për përdorim, si edhe një revolver. Njëra prej armëve që, sipas policisë, iu drejtua efektivëve kishte fishek në fole dhe karikator me 32 fishekë.

Në çantën e shpinës që u gjet në afërsi të vendit ku ai ishte konstatuar fillimisht, policia sekuestroi gjithashtu sasi droge dhe gjashtë granata dore.
Sipas versionit zyrtar të autoriteteve greke, efektivët tentuan ta ndalonin për kontroll, por ai fillimisht u përpoq t’u shmangej. Më pas, thuhet se nxori armë ndaj policëve me synim që të qëllonte, çka solli reagimin e një efektivi të policisë, i cili përdori armën e shërbimit duke e plagosur dhe neutralizuar.

Policia greke bën me dije se shqiptari me nofkën “Titi” konsiderohet person me precedentë të rëndë penalë që prej vitit 1995. Sipas autoriteteve, ai ka qenë i përfshirë në çështje që lidhen me vrasje, tentativa vrasjeje, organizatë kriminale, grabitje, pengmarrje polici, përdhunim dhe vepra të tjera të rënda.

Ndaj tij, sipas të njëjtave burime, ishte lëshuar edhe njoftim i kuq ndërkombëtar dhe urdhër-arrest europian për një sërë akuzash, përfshirë tentativa vrasjeje, grabitje të kryera në bashkëpunim, arratisje të të burgosurve, kundërshtim të autoriteteve dhe armëmbajtje të paligjshme.

Autoritetet greke pretendojnë se ai ishte arrestuar jashtë Greqisë në vitin 2019 dhe kishte vuajtur dënimin në vendin e tij deri në vitin 2025. Sipas të dhënave paraprake hetimore, gjatë vitit 2026 ai kishte hyrë ilegalisht në territorin grek.
Lini një Përgjigje