
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vijuar kontrollet në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa këtë të shtunë aksioni është përqendruar në burgun e Peqinit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Forcat Operacionale të DPB-së dhe forcat e sigurisë së IEVP Peqin, Fier dhe Durrës, janë zbuluar dhe sekuestruar sende të ndaluara në disa qeli të të dënuarve.
Në qelinë e të dënuarit të sigurisë së lartë Gazmend Braka, i njohur si “Gaxhai”, autoritetet gjetën një shishe raki 2 litra, dy shishe uiski, një shishe verë dhe dy karikues telefoni. Braka, i dënuar me burgim të përjetshëm, më herët është kapur edhe me telefona celularë, për çka i ishte shtuar një vit burgim.
Kontrollet zbuluan gjithashtu sende të ndaluara edhe në qelitë e të dënuarve të tjerë. Shtetasit me iniciale P.V. iu gjetën një iPhone, karikues, fisha karikimi dhe kufje wireless, ndërsa të dënuarit L.D. iu sekuestruan dy telefona celularë, një karikues dhe tre shishe raki.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve bëri me dije se materialet procedurale i janë referuar Agjencisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Lini një Përgjigje