Banditi "fantazmë" i policisë greke u rikthye në qendër të vëmendjes pas një incidenti në Mikrolimano. Të shtëna, armë, granata dhe një e kaluar e errët.
Skena me rrezik të lartë u zhvilluan në orët e para të mëngjesit në Mikrolimano, kur oficerët e Departamentit të Zhvatjes të D.A.O.E. ndaluan për kontroll një person të dyshimtë pranë një lokali në zonë dhe u përballën me një nga kriminelët më të rrezikshëm të dekadës së fundit.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për famëkeqin “Titi”, shqiptarin që kishte rol drejtues në një organizatë kriminale dhe që u bë i njohur edhe për arratisjen spektakolare nga Drejtoria e Transferimeve në qershor të vitit 2019.
42-vjeçari Alesio Xhelo nga Fieri, është i njohur në Greqi me nofkën “Titi” dhe më parë me identitetin Astrit Hasani.
Gjatë kontrollit, shqiptari nxori armë ndaj policëve, duke shkaktuar alarm dhe shkëmbim zjarri. I arratisuri “famëkeq” u plagos në vesh dhe u transportua në spitalin “Attikon”.
Ai ndodhet i intubuar në repartin e kujdesit intensiv në gjendje të rëndë. Neurokirurgët i hoqën një plumb nga koka gjatë një operacioni. Kur mbërriti në spital, ai ishte i vetëdijshëm, fliste dhe u tha policëve emrin e tij.
Sipas burimeve, edhe pse i plagosur, gjatë transportit me ambulancë drejt spitalit ai ishte i irrituar dhe ofendonte rëndë efektivët e policisë.
Në posedim të tij u gjetën tre armë zjarri, ndërsa pak metra më larg u zbulua një çantë me gjashtë granata dore. Në vendngjarje mbërriti një njësi e TEEM-it, ndërsa zona u izolua për arsye sigurie.
Njeriu që Policia Helenike e konsideronte jashtëzakonisht të rrezikshëm
Emri i Astrit Hasanit, i njohur si “Titi”, lidhet me grabitje të armatosura, përleshje me policinë dhe ngjarje të dhunshme kriminale. Në dosjet e policisë greke ai përshkruhej si drejtuesi i një grupi që vepronte me organizim ushtarak dhe armë të rënda.
Autoritetet e konsideronin veçanërisht të rrezikshëm, pasi grupi i tij nuk hezitonte të hapte zjarr apo të hidhte granata ndaj policëve për të siguruar arratisjen. Sipas policisë greke, ai kishte rol kyç në organizimin e sulmeve, sigurimin e armëve dhe rekrutimin e anëtarëve të rinj.
E kaluara e tij kriminale konsiderohet shumë e rëndë. "Titi" akuzohej për një vrasje në Kaisariani, dhjetëra grabitje të armatosura në banesa dhe biznese, si dhe për një seri përleshjesh të armatosura me policinë.
Në një nga incidentet më të njohura, në vitin 2012, policët e Komisariatit të Neos Kosmos u përballën me të dhe bashkëpunëtorët e tij vetëm pak minuta pas një grabitjeje. Sipas autoriteteve, ata qëlluan ndaj policëve dhe hodhën granatë për të bërë të mundur arratisjen. Gjithashtu, u zbulua se mbanin kallashnikovë të fshehur në kuti kitarash për të shmangur kontrollet.
Arratisja “kinematografike” nga Petrou Ralli
Emri i “Titit” u bë i njohur në të gjithë Greqinë në qershor të viti 2019, kur ai u arratis bashkë me tre të burgosur të tjerë nga qelitë e Drejtorisë së Transferimeve në Petrou Ralli, një ngjarje që ekspozoi boshllëqe të mëdha sigurie.
Arratisja ishte organizuar me gjakftohtësi. Njëri prej të burgosurve shtirej sikur kishte problem shëndetësor dhe kërkoi ilaçe nga sendet personale të ruajtura jashtë qelisë. Polici e besoi dhe e shoqëroi, duke lënë përkohësisht derën e qelive hapur.
Pak minuta më vonë, të burgosurit sulmuan policët me një thikë të improvizuar, u morën armën e shërbimit dhe u vunë prangat rojeve. Më pas zbritën në bodrumin e godinës, hipën në një makinë policie dhe morën peng një police të re, duke tentuar të largoheshin nga porta kryesore. Në fund, ata braktisën automjetin dhe u zhdukën në këmbë, ndërsa policia kishte shpallur alarm kombëtar.
Për kapjen e tyre u organizua një operacion masiv me pjesëmarrjen e EKAM, OPKE, DI.AS., helikopterëve dhe qenve të trajnuar posaçërisht. Dy nga të arratisurit u arrestuan brenda pak orësh, por “Titi” arriti të zhdukej. Autoritetet greke besonin se ai kishte kaluar në Shqipëri, ku sipas informacioneve ishte arrestuar, por pak kohë më vonë dyshohet se ishte arratisur edhe prej andej./ Përshtati "Pamfleti" nga "tovima.gr".
Lini një Përgjigje