Zbardhen detaje të reja nga përplasja me armë që ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Mikrolimanos në Athinë, ku mbeti i plagosur një shtetas shqiptar i shumëkërkuar nga autoritetet greke.
Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Alesio Xhelo nga Fieri, i njohur në Greqi me nofkën “Titi” dhe më parë me identitetin Astrit Hasani. Ai u qëllua nga policia greke pasi tentoi të largohej dhe të hapte zjarr ndaj efektivëve gjatë një kontrolli rutinë.
Pas neutralizimit, Xhelo u transportua në spitalin “Attikon” në Athinë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende publike. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi tre armë zjarri dhe gjashtë granata që dyshohet se ishin në posedim të tij.
41-vjeçari rezulton me precedentë të rëndë penalë në Greqi dhe Shqipëri. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm në shtetin grek për vrasjen e një shtetasi grek dhe konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, i përfshirë në disa shkëmbime zjarri me policinë.
Sipas dosjes hetimore, Xhelo ishte arratisur në vitin 2019 nga burgu i Petro Rallit në Greqi bashkë me dy të burgosur të tjerë, duke marrë peng një gardian. Pas arratisjes ai hyri në Shqipëri, ku u arrestua më vonë në Vlorë me armë pa leje.
Autoritetet shqiptare e kishin vendosur në “arrest shtëpie” në Fier, nën mbikëqyrje të FNSH-së, për akuza të rënda si trafik armësh, rrëmbim personi dhe tentativë për vrasje të punonjësve të policisë.
Në mars të vitit 2025, Xhelo ishte arrestuar sërish pasi kishte kërcënuar dhe ofenduar një efektiv të FNSH-së që ishte caktuar për mbikëqyrjen e tij.
Ndërkohë, postimet e fundit të Xhelos në rrjetin social TikTok hedhin dyshime se ai mund të ketë qenë i lirë muajt e fundit, pavarësisht masës së sigurisë. Në një video të publikuar në tetor të vitit 2025, 42-vjeçari shihej duke dalë nga një komisariat policie dhe më pas duke lëvizur lirshëm në Sarandë.
Hetuesit grekë po verifikojnë mënyrën se si Xhelo ka kaluar kufirin drejt Greqisë, ndërsa dyshohet se ai kishte hyrë ilegalisht në vend dhe strehohej mes Sarandës dhe Athinës.
Lini një Përgjigje