Raporti mjeko-ligjor ka zbardhur vdekjen tragjike të shqiptaro-amerikanes Donika Gocaj, e cila humbi jetën pasi ra në një pusetë të hapur në New York, mbrëmjen e 19 majit, pak çaste pasi zbriti nga makina.
Sipas raportit të ekspertizës, 56-vjeçarja me origjinë nga Shkodra ndërroi jetë si pasojë e thithjes së avullit ekstremisht të nxehtë në brendësi të pusetës, si dhe traumave të marra nga rënia. Autoritetet mjeko-ligjore bëjnë me dije se ajo pësoi djegie të rënda termike, përfshirë dëmtime nga inhalimi, si edhe trauma të forta në zonën e kraharorit, që rezultuan fatale.
Detaji më tronditës i raportit është se Gocaj nuk humbi jetën nga djegiet në trup, por nga dëmtimet e shkaktuara në mushkëri pas thithjes së avullit të nxehtë, i cili dyshohet se i shkaktoi arrest kardiak.
“Ndoshta dëmtimi më i dëmshëm ishte thithja e avullit, i cili do të kishte dëmtuar alveolat, indin në mushkëri, i cili transporton oksigjenin në qarkullimin e gjakut. Kur ato fryhen, ato nuk mund të sjellin më oksigjen. Avulli do t’i kishte shkaktuar asaj djegie të forta në lëkurë, por shkaku i vërtetë i lëndimit do të ishte thithja”, tha Barbara Butcher, ish-shefja e stafit në zyrën e mjekut ligjor të qytetit.
Vdekja tragjike e Donika Gocaj ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët e saj, veçanërisht te dy fëmijët, Armando dhe Esterina, nusja Caitlin, si dhe dy nipërit e vegjël, Zayn dhe Abel.
Si ndodhi tragjedia?
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:19 pranë Fifth Avenue në Manhattan. Sipas raportimeve, Donika Gocaj sapo kishte zbritur nga automjeti me të cilin po udhëtonte, një “Mercedes Benz” SUV, kur bëri një hap pas dhe përfundoi në një pusetë të hapur.
Dëshmitarët thanë se këmbët e saj ranë fillimisht në hapësirën e pusetës dhe brenda pak sekondash trupi i saj u zhduk nga sipërfaqja.
Qytetarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes u përpoqën menjëherë ta ndihmonin. Raportohet se një prej tyre siguroi edhe një palë shkallë për të zbritur në pusetë dhe për ta nxjerrë, por përpjekja rezultoi e pamundur për shkak të thellësisë dhe kushteve brenda saj.
Sipas dëshmitarëve, për disa minuta dëgjohej zëri i Donikës që kërkonte ndihmë, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë duke përdorur shkallë për të hyrë në pusetë, por pavarësisht përpjekjeve, shqiptarja u nxor pa shenja jete.
Ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit, por autoritetet konfirmuan se kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.
Raportohet gjithashtu se në zonën ku ndodhej puseta nuk kishte asnjë tabelë paralajmëruese apo masa mbrojtëse sigurie.
Lini një Përgjigje