Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zbuluar disa detaje të tjera nga takimi që pati në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për Radio Televizionin Serb (RTS), Vuçiç u shpreh se nuk pret që Kurti të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Duhet të mendojmë për veten dhe për të ardhmen tonë, kam frikë se pala tjetër nuk është serioze dhe po merren me gjërat e tyre ditore politike, a do të jetë pas një muaji, dy, tre, gjashtë, por një ditë dikush do të duhet të formojë Asociacionin.
Kur kjo të ndodhë, atëherë na takon ne të diskutojmë tema jo të lehta dhe të vështira për ne”, theksoi presidenti serb.
Kur u pyet se si duket kur ulen së bashku në tavolinë, Vuçiç tha: “Mirë, ata thonë të tyret, ne themi tonat, nuk jemi dakord për asgjë”.
Megjithatë, ai nënvizoi se Serbia “thelbësisht dhe strategjikisht” duhet të marrë një vendim me vetveten.
Vuçiç gjithashtu theksoi se Serbia mund të diskutojë gjithçka, përveç njohjes së Kosovës.
“Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e shumë gjërave nga plani, por ne kemi shprehur një kundërshtim të qartë të madh. Kjo është ajo që i thashë Macron-it dhe Scholz-it në Mynih, dhe të gjithë liderëve të mëdhenj. Bëhet fjalë për atë se nuk mund të flasim për njohje reciproke, njohje, dhe hyrje të Kosovës në OKB”, tha presidenti i Serbisë.
Lini një Përgjigje