Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Greqi.
Një tren pasagjerësh me 350 udhëtarë është përplasur me një tren mallrash në luginën e Tembit pranë Larisës, aksident ky që ka tronditur shtetin fqinj.
Për pasojë 32 persona kanë gjetur vdekjen dhe 85 janë plagosur, prej të cilëve 25 ndodhen në gjendje kritike.
270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.

Përplasja ka ndodhur pak pas mesnate kur treni i pasagjerëve me destinacion nga Athina në Selanik është përplasur me një tren mallrash me drejtim të kundërt dhe ka marrë zjarr.
Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërrësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Mbi 40 ambulanca kanë shkuar në vendgjarje, si dhe repartet e zjarrfikësve me 150 vetë, 32 policë me 15 mjete kanë izoluar vendin e aksidentit , spitalet e gjithë zonës janë vënë në gadishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendgjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetsisë.
Megjithse shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, vlerësohet se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor. Dyshohet se përgjegjësi i stacionit në Larisa e ka futur trenin e pasagjerëve në binarë të gabuar, duke rezultuar që të dy trenat të ndodhen në të njëjtën trase nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe.


Vlerësohet gjithashtu se numri i viktimave do të rritet pasi ende nuk janë gjendur pasagjerët e dy vagonëve të parë .
Kompania hekurudhore greke, Hellenic Train, tha në një deklaratë për shtyp se ishte "një përplasje ballë për ballë midis dy trenave: një treni mallrash dhe treni IC 62 i cili ishte nisur nga Athina për në Selanik".
Autoritetet thanë se ende nuk është e qartë se çfarë çoi në përplasjen e trenave.
Hellenic Train, kompania kryesore hekurudhore greke, u ble nga Ferrovie dello Stato Italiane në 2017 dhe tani kontrollohet plotësisht nga Trenitalia. Kompania operon si transportin e pasagjerëve ashtu edhe të mallrave. Linja kryesore në të cilën ofrohen lidhjet ditore është Athinë-Selanik.
Greqia ka regjistruar edhe dy aksidente të tjera hekurudhore shumë vite më parë. Pranë Dervenit në 1968 përsëri dy trena janë përplasur me pasojë vdekjen e 34 pasagjerëve dhe plagosjen e 100 të tjerëve , ndërsa edhe në vitin 1972 në një ngjarje të ngjashme 19 persona kanë vdekur nga një përplasje trenash pranë Kardhitsës.
Lini një Përgjigje