
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamas është “shumë afër”, teksa theksoi se negociatat po zhvillohen me ritme pozitive.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump u tha gazetarëve se ekipi amerikan po kryen një punë të shkëlqyer në terren.
“Ne kemi një ekip të shkëlqyer atje, negociatorë të shkëlqyer. Fatkeqësisht, ka negociatorë të shkëlqyer edhe në anën tjetër. Por është diçka që mendoj se do të ndodhë, ka një shans të mirë të ndodhë,” u shpreh ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për një zgjidhje të shpejtë.
Presidenti amerikan paralajmëroi se mund të udhëtojë personalisht në Lindjen e Mesme brenda pak ditësh, nëse arrihet një marrëveshje.
“Mund të shkoj atje diku nga fundi i javës, ndoshta të dielën në fakt, dhe ka shumë mundësi që negociatat të shkojnë shumë mirë,” shtoi Trump.
Sipas burimeve të afërta me negociatat, pothuajse të gjithë aktorët kryesorë janë të përfshirë në bisedime.
Lini një Përgjigje