Trump ndëshkon qytetet demokrate, ngrin miliarda për klimën dhe infrastrukturën...
Donald Trump, në një nga episodet më të qarta të autoritarizmit buxhetor amerikan, ka dhënë sinjale të qarta se ai e sheh buxhetin federal si një “derrkuc kursimesh” që mund ta përdorë sipas vullnetit të tij politik.
Komentet e tij të fundit, ku sugjeron se punonjësit federalë të pezulluar mund të mos marrin pagat e prapambetura pas mbylljes së qeverisë, tregojnë një tendencë të rrezikshme: transformimin e fondeve publike në një mjet personal për ndëshkimin e kundërshtarëve dhe shpërblimin e të preferuarve.
Ndëshkim politik me faturën e taksapaguesve
Gjatë mandatit të tij Trump ka treguar gatishmëri për të ndëshkuar me shkurtime fondesh çdo subjekt që i kundërvihet. Viktimat e kësaj strategjie përfshijnë të prekurit e uraganeve në Porto Riko, qytetet e Kalifornisë që nuk pranojnë urdhrat e tij për deportime, apo shtetet që kërkojnë fonde për emergjenca natyrore.
Pas mbylljes së fundit të qeverisë, Trump rriti presionin ndaj demokratëve: ai kërcënoi me shkarkime masive në administratën federale, deklaroi se do të zgjedhë vetë cilët punonjës do të paguhen, dhe madje paralajmëroi pezullimin e 18 miliardë dollarëve të alokuar për dy projekte infrastrukturore madhore në New York, zgjatimi i metrosë në Second Avenue dhe tuneli hekurudhor nën lumin Hudson.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu ngrirjen e rreth 8 miliardë dollarëve për projekte klimatike në 16 shtete, shumica e tyre të drejtuara nga demokratët.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se qeveria do të shqyrtojë cilat agjenci federale nuk janë në përputhje me prioritetet e presidentit Trump dhe se ato do të konsiderohen si “shpërdorim i parasë së taksapaguesve”. Kjo qasje bie ndesh me parimin themelor kushtetues amerikan se Kongresi ka fuqinë e buxhetit, jo presidenti.
Kjo përplasje nuk është e re. Në mandatin e tij të parë, përpjekjet e Trump për të bllokuar fondet e aprovuara nga Kongresi janë përballur me vendime gjyqësore që i kanë ndaluar, duke e akuzuar për përpjekje për të uzurpuar pushtetin legjislativ.
Trump përdor gjithçka si armë politike
Një tjetër veprim i diskutueshëm ishte njoftimi i administratës për të përdorur të ardhurat nga tarifat tregtare të vendosura nga vetë Trump për të financuar një program ndihme ushqimore për gati 7 milionë gra shtatzëna, nëna dhe fëmijë, pa aprovimin e Kongresit. Sipas analistëve buxhetorë, problemi nuk është mungesa e parave, por mungesa e autorizimit ligjor për t’i përdorur ato.
Kjo është në përputhje me modelin e sjelljes së Trump: një president që e sheh politikën si një ndeshje force, ku çdo mjet është i lejueshëm për të mposhtur kundërshtarin. Qoftë me anëtarë kabineti, qoftë me liderë të huaj, ai kërkon të imponojë vullnetin e tij, siç ndodhi edhe me kryeministrin kanadez Mark Carney, të cilit i bëri ironi se Kanadaja duhet t’i bashkohej SHBA-së si shteti i 51-të.
Sjellja e Trump me fondet publike ishte gjithashtu në qendër të mandatit të tij të parë presidencial. Ai u përpoq të përdorte fondet e miratuara nga Kongresi për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës, si mjet presioni për të detyruar presidentin Zelensky të hapte hetime kundër Joe Bidenit dhe familjes së tij.
Tendenca e Trump për ta trajtuar buxhetin federal si pronë private, nuk është vetëm e paprecedentë, është thellësisht antikushtetuese. Megjithatë, kjo sjellje është kthyer në normë në retorikën dhe praktikat e tij politike. Nëse e ardhmja e SHBA-së përballon një mandat të dytë Trump, atëherë lufta për kontrollin e parasë publike do të jetë më e egër se kurrë më parë. /Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”
E hu ha, Mon Kukaleshi i ka bo keto gjona qe ne kohen e qepes.