Pas një situate të tensionuar diplomatike gjatë orëve të fundit lidhur me bisedimet SHBA–Iran, palët duket se kanë gjetur një zgjidhje.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, konfirmoi se bisedimet me palën amerikane do të zhvillohen normalisht të premten në mëngjes, në orën 10:00, në Oman.
Në një postim në rrjetin social X, Araghchi shprehu mirënjohjen e tij për autoritetet omanase, duke theksuar se ato kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e takimit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha faqes izraelite Times of Israel se bisedimet me Iranin do të zhvillohen të premten në kryeqytetin e Omanit, Muskat.
Sipas faqes amerikane Axios, e cila më herët raportoi për krizën në negociata, të paktën nëntë liderë arabë ushtruan presion ndaj Shtëpisë së Bardhë për të mos u tërhequr nga bisedimet, duke arritur qëndrimin e tyre. Megjithatë, zyrtarët amerikanë mbeten të rezervuar.
“Na kërkuan të zhvillojmë takimin dhe të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë iranianët. U thamë liderëve arabë se do ta mbajmë takimin nëse ata këmbëngulin. Por ne mbetemi shumë skeptikë,” deklaroi një zyrtar amerikan.
Lini një Përgjigje