Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, “duhet të jetë shumë i shqetësuar”, në një moment kur përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit duket se po shkojnë drejt dështimit.
Deklarata u bë gjatë një interviste për NBC News, teksa Trump iu përgjigj pyetjes së një gazetari mbi situatën aktuale dhe rrezikun e përshkallëzimit ushtarak mes dy vendeve. “Ata po negociojnë me ne,” u shpreh Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi natyrën apo ecurinë e këtyre bisedimeve.
Gjatë intervistës, gazetari ngriti edhe çështjen e protestuesve iranianë kundër regjimit, të cilët sipas raportimeve ndihen të tradhtuar nga presidenti amerikan, pavarësisht mbështetjes së mëparshme që Trump u kishte shprehur atyre. Trump ka deklaruar më herët se ka inkurajuar protestat kundër regjimit iranian dhe ka pretenduar se mijëra protestues janë vrarë, ndërsa ai vetë ka ndalur ekzekutimin e planifikuar të rreth 800 personave të tjerë.
“Ne i mbështesim ata,” tha Trump, duke shtuar se situata aktuale në Iran është pasojë direkte e veprimeve amerikane. “Ky vend është në rrëmujë tani për shkakun tonë. Ne hymë dhe shkatërruam programin e tyre bërthamor,” deklaroi ai, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj dy objekteve bërthamore iraniane në qershorin e kaluar, gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit.
Trump përsëriti pretendimin se programi bërthamor i Iranit është shkatërruar plotësisht. I pyetur se për çfarë po negociohet aktualisht, nëse – sipas tij – Irani nuk ka më një program bërthamor funksional, presidenti amerikan u përgjigj se Teherani po përpiqet ta rindërtojë atë në vende të tjera.
Sipas Trump, çdo përpjekje e Iranit për të ringritur kapacitetet bërthamore do të përbënte shkak për sulme të reja ushtarake nga ana e Shteteve të Bashkuara, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Lini një Përgjigje