TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shkurt 2026, 21:35

Evropa ka nevojë urgjente për një Këshill Sigurimi!

Shkruar nga Paolo Mauri

Evropa ka nevojë urgjente për një Këshill Sigurimi!

Kontinenti ndodhet përballë një prove historike. Pa një arkitekturë të re sigurie, ai rrezikon të mbetet i fragmentuar dhe i varur nga fuqitë e mëdha. Krijimi i një Këshilli Sigurimi evropian mund të jetë hapi vendimtar drejt autonomisë strategjike dhe forcimit të rolit të saj global.

Vënia në diskutim e lidhjeve transatlantike nga administrata e re Trump në SHBA, si dhe përkeqësimi i vazhdueshëm dhe i shpejtë i panoramës së sigurisë ndërkombëtare, duhet të jenë kambana e fundit e alarmit për Bashkimin Evropian.

Kjo kërkon një integrim më të madh dhe një rishikim të vetë sistemit themelor të BE-së, i cili është tepër i lidhur me kufizime burokratike që pengojnë veprimet e shpejta.

Sfida për Evropën është epokale.

Të dalësh fitues do të thotë të mbetesh protagonist në një skenë ndërkombëtare ku “gjigantët” diktojnë mënyrat dhe kohën e ndryshimeve. Këto ndryshime po ndodhin me një ritëm pothuajse të çmendur, duke prishur rendin ndërkombëtar që kishte mbajtur për dekada fatet e botës.

Mesazhet nga Uashingtoni janë tepër të qarta: aleancat mbijetojnë vetëm nëse i shërbejnë interesit të menjëhershëm kombëtar amerikan; gjithçka tjetër është e negociueshme.

Duke vënë hapur në dyshim besueshmërinë e NATO-s, duke e etiketuar si “mosmirënjohëse”, duke vënë në pikëpyetje angazhimet e mbrojtjes reciproke, duke kërcënuar me tarifa aleatët dhe duke hedhur idenë e blerjes së Grenlandës, mesazhi i nënkuptuar i SHBA-së për Evropën është se mbrojtja nuk është më falas dhe sovraniteti është i kushtëzuar.

Nga ana tjetër, një Rusi gjithnjë e më e përqendruar në rifitimin e sferës së saj të ndikimit, e sheh me kujdes dhe interes politikën e re amerikane. Ajo synon të kapë sinjale krize për të ndërhyrë, për të përçarë aleatët historikë, për të ndarë frontin evropian dhe për të eliminuar në këtë mënyrë Kontinentin e Vjetër nga lista e kërcënimeve të saj ekonomike e politike.

Nëse nuk do të ekzistonte më një zonë e lirë tregtie në Evropë, nëse modeli evropian do të dështonte dhe bashkë me të edhe NATO siç e njohim sot (pra nëse do të mungonin garancitë e sigurisë amerikane), Moska do të kishte më shumë mundësi të tërhiqte drejt vetes - në një mënyrë a tjetrën - vendet e hapësirës së vjetër sovjetike.

Nga ky këndvështrim, edhe Shtëpia e Bardhë ka zbuluar kartat e saj. Në Strategjinë e fundit të Sigurisë Kombëtare, të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, thuhet qartë se Shtetet e Bashkuara synojnë të mbështesin lëvizjet sovraniste evropiane me qëllim shkatërrimin e atij enti mbikombëtar (BE-së), që rrezikon të bëhet një konkurrent global jo vetëm ekonomik.

Në Uashington këtë e dinë prej kohësh: nëse më parë një mbrojtje evropiane shihej me sy të mirë për ndarjen e barrës së sigurisë dhe për të pasur një mbështetje shtesë në luftërat amerikane, tani kundërshtimi ndaj kësaj mundësie është i hapur.

Ekziston frika se BE-ja mund të bëhet një aktore politike dhe jo vetëm ekonomike. Kambana alarmi ka pasur shumë, por ato nuk janë kuptuar siç duhet nga udhëheqësit evropianë, me disa përjashtime.

Pas tërheqjes së nxituar të SHBA-së nga Afganistani, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi hapur nevojën për një autonomi strategjike të Evropës. Reagimi i BE-së ishte krijimi i bërthamës së mbrojtjes evropiane: një kontingjent fillestar për të ndërhyrë në rast nevoje.

Edhe vetë NATO po ndryshon. Stërvitja Steadfast Dart, e nisur ditët e fundit, është stërvitja më e madhe e Aleancës e planifikuar për këtë vit ku nuk marrin pjesë forcat amerikane.

Në këtë kuadër të përgjithshëm, Gjermania ka rikthyer një ide të vjetër për një BE më efektive, që të shmangë procesin tradicional të vendimmarrjes me konsensus (unanimitet), me qëllim që të përshpejtojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe konkurrueshmërinë industriale.

Ideja është një Bashkim Evropian me “dy shpejtësi”, ku një bllok prej gjashtë vendesh ekonomikisht më të forta (Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Spanja dhe Holanda) vendos mbi fatet e gjithë komunitetit.

Megjithatë, kjo qasje rrezikon të copëtojë kohezionin evropian duke distancuar anëtarët që duan integrim më të thellë, por nuk bëjnë pjesë te “të gjashtët”. Por a ka një zgjidhje tjetër?

Po, dhe kjo është krijimi i një Këshilli Sigurimi evropian, ku përveç 6 vendeve të përmendura, të marrë pjesë edhe një vend tjetër i Unionit, i zgjedhur përmes një rotacioni vjetor.

Në dallim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, hapi themelor do të ishte mungesa e të drejtës së vetos dhe marrja e vendimeve me votim shumice. Po Parlamenti Evropian? Detyra e tij do të ishte ratifikimi i vendimeve joemergjente të Këshillit të Sigurimit dhe të shërbente ekskluzivisht si organ këshillues për rastet më urgjente.

Në këtë mënyrë, mund të shihnim racionalizimin e blerjeve ushtarake, që synonte plani “ReArm Europe”, por që ende nuk është realizuar plotësisht. Ndoshta do të shihnim lindjen e qendrave rajonale brenda BE-së për prodhimin e kapaciteteve të nevojshme, përhapjen e një rrjeti të përbashkët të kompanive teknologjike me pole akademike-industriale të zgjedhura sipas kompetencave, ose krijimin e një zinxhiri të pavarur prodhimi për mikroçipet./ Përshtati "Pamfleti" nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje