TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Qershor 2026, 11:30

Zhdukja e Jan Prengës, avokatët e Dritan Rexhepit kundërshtojnë provat e SKY ECC; shtyhet seanca

Shkruar nga Pamfleti
Zhdukja e Jan Prengës, avokatët e Dritan Rexhepit
Dritan Rexhepi

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua këtë të martë seanca e radhës në procesin ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Gjatë seancës, avokatët mbrojtës të Dritan Rexhepit dhe bashkëpandehurve kundërshtuan komunikimet e platformës SKY ECC, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si prova në proces.

Sipas mbrojtjes, këto komunikime janë të papërdorshme, pasi SPAK nuk i ka paraqitur ato në mënyrë të plotë, por vetëm pjesë të shkëputura të bisedave. Avokatët ngritën gjithashtu pretendimin se Prokuroria ka sjellë komunikime të reja në një fazë kur çështja tashmë ndodhet në gjykim në themel.

Mbrojtja u njoh me aktet dhe provat e reja të paraqitura nga organi i akuzës, por kërkoi që ato të mos pranohen nga gjykata, duke argumentuar se depozitimi i tyre në këtë fazë procedurale bie ndesh me rregullat e procesit.

Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues vendosi të marrë kohë për shqyrtimin e kërkesave dhe do të shprehet nëse këto prova do të pranohen ose jo në proces.

Në këtë çështje, Dritan Rexhepi gjykohet së bashku me Aldo Manjishtën, Gentian Funiqin, Geraldo Martinin, Korado Kështenjën, Artan Doçajn dhe Marin Bletën.

Dritan Rexhepi dhe Aldo Manjishta nuk ishin të pranishëm në seancë, ndërsa Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Korado Kështenja, Artan Doçaj dhe Marin Bleta po gjykohen në mungesë.

Seanca e ardhshme është caktuar të zhvillohet më 30 qershor, në orën 09:30.

Lini një Përgjigje