TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Qershor 2025, 22:01

40 vjet Shengen: Përvjetori i trishtë i Evropës pa kufij

Shkruar nga David Carretta

40 vjet Shengen: Përvjetori i trishtë i Evropës pa kufij

Marrëveshja që e lejoi Bashkimin Evropian të çlirohej nga kontrollet kufitare është në krizë, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, bën sikur nuk e sheh. Që nga shtatori 2015, kur kriza e refugjatëve sirianë e përfshiu BE-në, shtetet anëtare kanë dërguar në Bruksel 434 njoftime për përjashtime të përkohshme nga Shengen.

Ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, kremtuan mbrëmjen e të enjtes 40-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Shengenit në bordin e një anijeje të emërtuar sipas princeshës së Luksemburgut, Marie Astrid.

Traktati i dha mundësi pjesën më të madhe të Evropës të çlirohej nga kontrollet e kufijve të brendshëm, duke lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Shengeni është një nga sukseset e mëdha të BE-së. Një sukses, që ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ose të paktën atyre që janë mjaftueshëm të rritur, për të kujtuar radhët në pikat kufitare midis shteteve anëtare. Megjithatë, festimet ishin të përmbajtura. Në dallim nga paraardhësi i saj Jean-Claude Juncker 10 vjet më parë, presidentja aktuale e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk e mori në konsideratë udhëtimin për në qytetin e vogël të Shengenit në Luksemburg.

Në vend të saj aty shkuan zëvendëspresidentja e KE-së, Henna Virkkunen, dhe komisioneri për punët e brendshme, Magnus Brunner. Por nuk është vetëm kombësia e Juncker (ish-kryeministër i Luksemburgut), ajo që e shpjegon mungesën e zonjës Von der Leyen (ish-ministre gjermane).

Kur kanë kaluar 10 vite që nga kriza e refugjatëve sirianë e vitit 2015, për shkak të fiksimit pas migrimit të opinionit publik dhe qeverive, Evropa pa kufij e Shengenit ka hyrë në një krizë të thellë. Gjithnjë e më shumë vende anëtare po rivendosin kontrollet në kufijtë e tyre.

Kjo po ua vështirëson jo pak jetën punëtorëve që punojnë shpesh në vende të tjera apo shoferëve të kamionëve të transportit, si dhe po shumëfishon përplasjet politike me fqinjët e tyre. Komisioni Evropian ka zgjedhur të mbyllë sytë përpara kësaj situate, duke e lejuar që të ndodhë dhe duke mos preferuar që të përdorë fuqitë e tij për të rivendosur siç duhet sistemin e Shengenit.

Konfliktet e fundit rreth këtij regjimi të lëvizjes, lidhen me vendimin e qeverisë së Friederich Merz në Gjermani për të rivendosur kontrollet në të gjitha kufijtë e brendshëm. Fundjavën e kaluar, patrullat e rojeve u shfaqën në kufijtë e Holandës për të kontrolluar për emigrantë të paligjshëm makinat që kalonin kufirin me Gjermaninë në qytetin Ter Apel.

Nismëtari i këtij veprimi, një burrë me precedentë penalë për shpifje dhe gjuhë urrejtjeje, shpjegoi për mediat lokale se kontrollet ishin një reagim dhe një kundërpërgjigje ndaj operacioneve të policisë gjermane që kthejnë në Holandë emigrantët e paligjshëm të kapur në Gjermani.

Qeveria e Merz, u ka kërkuar autoriteteve holandeze që të parandalojnë incidente të reja. Edhe më shpërthyes në aspektin politik është konflikti me Poloninë, ku qeveria e Donald Tusk e ka kritikuar vazhdimisht kthimin mbrapsht nga Gjermania të gjithë azilkërkuesve që kalojnë kufirin polako-gjerman.

Kjo çështje, u shfrytëzua edhe në fushatën e fundit zgjedhore nga kandidati ultranacionalist Karol Navrocki, që fitoi me një rezultat të ngushtë zgjedhjet presidenciale të 1 qershorit. Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, e ka kritikuar publikisht pasaardhësin e saj Merz për vendimin e tij për të rivendosur kontrollet kufitare.

Por Gjermania nuk është një rast i izoluar. Edhe Holanda ka rivendosur kontrollet kufitare me Belgjikën dhe Gjermaninë. Po ashtu Danimarka me Gjermaninë. Suedia me Danimarkën. Franca me Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun, Spanjën dhe Italinë. Austria me Sllovakinë, Republikën Çeke, Slloveninë dhe Hungarinë.

Italia me Slloveninë. Sllovenia me Kroacinë dhe Hungarinë, ndërsa Bullgaria me Rumaninë. Pezullimi i Shengenit duhet të jetë i kufizuar në kohëzgjatje, teksa kontrollet do të mbeten në fuqi për maksimumi 6 muajsh, një afat që mund të zgjatet deri në 2 vjet.

Por disa nga vendet që kanë vendosur t’i futin në zbatim 10 vitet e fundit, nuk i kanë hequr më. Që nga shtatori i vitit 2015, kur kriza e refugjatëve sirianë përfshiu Bashkimin Evropian, shtetet anëtare kanë dërguar në Bruksel 434 njoftime për përjashtime nga sistemi Shengen.

Shpeshherë, ato kanë përmendur si shkak flukset e mëdha të emigrantë të paligjshëm, trafikimin e qenieve njerëzore apo kërcënimet e sigurisë që lidhen me migracionin. Në teori, Komisioni Evropian duhet të vlerësojë nëse vendimi është proporcional, të hartojë një raport dhe të nisë procedurat disiplinore në rastet e shkeljeve.

Por Von der Leyen zgjodhi të mos e bënte këtë, në emër të dialogut me qeveritë kombëtare të vendeve të bllokut. Dhe rezultatet u panë tek festimet e përmbajtura në bordin e anijes “Marie Astrid”.

Sa i përket flukseve të brendshme të migracionit në Bashkimin Evropian, ekspertët dhe institucionet e pavarura - si shërbimet e auditimit të qeverisë holandeze - bien dakord se kontrollet kufitare nuk kanë pothuajse asnjë ndikim në uljen e kërkesave për azil./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Foglio”

Lini një Përgjigje