
Trump mund t’i shkaktojë shumë dëme Musk, dhe do ta bëjë këtë për t’i dërguar një mesazh kujtdo që po mendon ta tradhtojë. Por edhe Musk mund t’i shkaktojë shumë dëme Trumpit, duke amplifikuar një mesazh antikorrupsion përmes platformës së tij të mediave sociale. Nëse paralelet bashkëkohore janë të vërteta, Musk duhet ose të punësojë më shumë roje sigurie rreth vetes, më shumë kontabilistë për të penguar një audit nga organet tatimore, ose të përgatitet për t'u zhvendosur jashtë shtetit.
Dihet se grindja midis Donald Trump dhe Elon Musk, do të shndërrohej në një telenovelë të bujshme. Dy titanë të biznesit që hynë në një “martesë politike” për interes, kanë pasur një përplasje të parashikueshme egosh, dhe në vend se të ndahen privatisht, kanë hedhur publikisht baltë ndaj njëri-tjetrit.
Por mos e ngatërroni këtë çështje me një zbavitje. Çështja më e thellë këtu është korrupsioni dhe çfarë ndodh kur një marrëveshje e fshehtë shkon keq, siç ndodh shpesh në fakt. Arsyeja e dukshme për përçarjen midis të dyve, ishte kritika e Musk ndaj projektligjit të Trump mbi buxhetin e ri, për të cilin industrialisti theksoi me të drejtë se do ta shtojë me triliona të tjerë borxhin kombëtar.
Në kushtet kur projektbuxheti rrezikon të rrëzohet në Senat, Trump nuk ka luksin që një kritik i profilit të lartë si Musk, të pengojë atë që mund të jetë nisma e tij e vetme serioze legjislative. Kjo mosmarrëveshje, mund të kishte mbetur në nivelin e debatit politik.
Në fakt, u shndërrua shumë shpejt në diçka që i ngjante një grindjeje adoleshentësh në oborrin e shkollës. Musk mori përsipër meritat për zgjedhjen e Trumpit për një mandat të dytë. Ndërkohë gjatë sulmit të tij ndaj DOGE, presidenti vuri në dukje konsumin e drogës nga Musk.
Manjati i lindur në Afrikën e Jugut, u kundërpërgjigj duke rikujtuar lidhjen midis Trump dhe pedofilit famëkeq Jeffrey Epstein. Madje shkoi aq larg, sa që mbështeti një nismë të mundshme për shkarkimin e Trump. Presidenti kërcënoi të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet midis qeverisë federale dhe kompanive të Musk.
Ky i fundit, reagoi duke paralajmëruar ndërprerjen e fluturimeve e raketave të Space X për llogari të NASA-n, që do t’i jepte fund transportit të astronautëve amerikanë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Që atëherë, të dy burrat janë tërhequr nga pragu i greminës (për momentin).
Musk fshiu postimet e tij në lidhje me Epstein dhe shkarkimin e Trump, madje e pranoi se kishte “shkuar shumë larg”. Edhe Trump i ndërpreu kërcënimet për një hakmarrje të fortë (përveçse nëse Musk do të mbështesë financiarisht demokratët ).
Dhe Musk e ka mbështetur dërgimin e Gardës Kombëtare në Kaliforni nga Trump për të shtypur demonstratat kundër kapjes dhe dëbimit të emigrantëve të paligjshëm. Trump është i famshëm për faljen e shembujve më të këqij të pabesisë ndaj tij.
Siç për shembull komentet e dikurshme të J.D.Vance se Trump ishte “Hitleri i Amerikës” dhe një “katastrofë morale” - për sa kohë që autori i sulmit ka ndikim politik dhe financiar dhe është i gatshëm t’i ulet në gjunjë.
Edhe pse me siguri e plotëson kushtin e parë, Musk nuk është i përulur. Prandaj mos prisni një pajtim së shpejti. Në fakt, nëse paralelet bashkëkohore janë të vërteta, Musk duhet ose të punësojë më shumë roje sigurie rreth vetes, të punësojë më shumë kontabilistë për të penguar një audit nga organet tatimore, IRS, ose të përgatitet për t'u zhvendosur jashtë shtetit.
Nëse futesh në konflikt me Viktor Orban në Hungari, mund të pezullohen marrëveshjet e biznesit, por në përgjithësi nuk ke pse të kesh frikë për jetën. Hungaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe një destinacion turistik popullor. Sado i korruptuar dhe autokrat të jetë, Orban nuk është vrasës me pagesë.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Vladimir Putinin, i cili përdor vrasjen si një mënyrë kryesore për të konfirmuar pushtetin e tij. Udhëheqësi rus organizon vrasjen e rivalëve politikë (si Boris Nemtsov) për të dekurajuar sfidat zgjedhore serioze.
Ai lejon eliminimin e gazetarëve (si Anna Politkovskaya), për të siguruar që media të mos krijojë të çara në narrativat e Kremlinit. Dhe nxit largimin jashtë vendit të aktivistëve të të drejtave të njeriut (Stanvis Markelov), për t’ i dërguar një mesazh shoqërisë civile se Rusia nuk toleron më hapësirat “e pavarura”.
Në fillim, komuniteti i biznesit e mendonte veten të sigurt. Shumica e oligarkëve rusë ishin dakord me Putinin, për shkak të përfitimeve të dukshme të të bërit biznes me Kremlinin. Por nëse ndryshoni mendje mbi udhëheqësin rus, siç bëri edhe oligarku Boris Berezovski, duhet të prisni hakmarrjen.
Oligarku i mbijetoi 2 atentateve me bomba në makinë, përpara se të arratisej në Mbretërinë e Bashkuar, ku vdiq në vitin 2013 në një “vetëvrasje” të dyshimtë”. Por edhe nëse Berezovski ka vrarë vërtet veten - në atë kohë ishte i përfshirë në një divorc të kushtueshëm - Kremlini arriti të përcjellë mesazhin e tij: gjëra vërtet të këqija u ndodhin atyre që e urrejnë Vladimir Putinin.
Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, oligarkët nisën të sulmohen nga të gjitha anët. Ata u gjetën të vdekur në rrethana të dyshimta, në “vetëvrasje” apo “krime brenda familjes”. Shumë prova sugjerojnë se ato ishin vrasje me urdhër të Putinit.
Madje edhe oligarkët jo-rusë që e kritikonin Putinin, kanë vdekur në rrethana misterioze, siç ishte rasti i biznesmenit letonezo-amerikan Dan Rapoport, që humbi jetën pasi u rrëzua nga ndërtesë e lartë në Uashington. Pra nëse je oligark dhe kritikon Putinin, ndoshta duhet të shpërngulesh në një shtëpi në fermë.
Regjimet autoritare i dëbojnë rregullisht armiqtë e tyre. Kim Jong Un eliminoi xhaxhain e tij, që ndoshta kishte komplotuar për t’ia marrë pushtetin. Xhelatët e Mohammed bin Salman, vranë dhe shkrinë në acid gazetarin e shquar saudit Jamal Khashoggi.
Ndërkohë, shtetet e korruptuara dhe gjysmë-demokratike i përndjekin kritikët e tyre në mënyra të tjera: duke ua pakësuar asetet financiare, duke i çuar në gjyq dhe duke detyruar të largohen nga vendi. Për momentin, Donald Trump po ndjek këtë rrugë.
Siç e tregon edhe dërgimi i trupave të Gardës Kombëtare në Los Angeles, ai është sigurisht i interesuar të shtypë kundërshtimet. Por në përgjithësi, po e bën këtë në mënyra më burokratike - duke pushuar nga puna punonjësit federalë, duke eliminuar fondet për mediat NPR dhe PBS, si dhe për universitetet e njohura.
Trump ka kërkuar besnikërinë e korporatave të mëdha, dhe në këmbim u ka dhënë poste të larta administrative. Kështu miliarderët Howard Lutnick, Linda McMahon dhe Scott Bessent shërbejnë në kabinetin e tij. Disa miliarderë të tjerë janë emëruar si ambasadorë (Warren Stephens në Mbretërinë e Bashkuar, Charles Kushner në Francë).
Përmes pushtetit të zyrës së tij, ai ka fituar së fundmi edhe besnikërinë e Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg. Pas grindjes publike midis Trump dhe Musk, Bill Gates vizitoi Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar rifillimin e financimit të USAID. Musk është ndoshta i pari rebel i profilit të lartë dhe me pasuri të mëdha.
Duke pasur parasysh burimet që ka në dispozicion dhe dëshirën e tij për të ndikuar në zgjedhje, një Musk anti-Trump mund të përbëjë rrezik për republikanët e MAGA-s. Madje kongremeni demokrat Ro Khanna, kontaktoi njerëzit e Musk për të parë nëse ai mund t'i ndihmojë demokratët në zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e ardhshëm.
Por afrimi i njeriut më të urryer në Amerikë, në një parti që ka problemet e veta me përkëdheljen e të pasurve, nuk do të garantonte fitoren në asnjë palë zgjedhje. Afera “Musk” është e dobishme në aspekte të tjera. Ajo është shembulli më i spikatur i praktikave korruptive të administratës Trump.
Trump i shpërblen besnikët e tij me pushtet dhe para. Ai ka pushuar nga puna mijëra punonjës federale jo vetëm për të shkatërruar “shtetin e thellë”, por edhe për të pasur mijëra mundësi të reja për të shpërndarë favore. Ana tjetër e këtij sistemi patronazhimi, është ndëshkimi i dezertorëve.
Putini ua bëri shumë të qartë koston e pabesisë, oligarkëve që guxuan të protestonin kundër luftës në Ukrainë apo praktikave ndaj biznesit nga ana e qeverisë ruse. Megjithatë, ai ka qenë i kujdesshëm për të ruajtur një distancim të besueshëm nga sulmet që kryen. Udhëheqës të tjerë i ndëshkojnë nga prapa skene kundërshtarët e tyre të fuqishëm.
Trump preferon t’i bëjë kërcënimet e tij publikisht, pavarësisht se sa jo etike mund të jenë veprimet. Anulimi i kontratave federale me kompanitë e Musk, do të ishte po aq korruptiv sa dhënia e tyre në këmbim të favoreve të tij politike.
Meqenëse është autokrat, Putini mund të veprojë pa u ndëshkuar kur i vret sfiduesit e tij.
Edhe Trump aspiron të veprojë pa u ndëshkuar. Avokatët e tij kanë argumentuar para Gjykatës Supreme se ai ka imunitet për praktikisht çdo gjë që bën si president.
Megjithatë, korrupsioni ka rrëzuar shumë sundimtarë: Ferdinand Marcos, Viktor Janukoviç, Jacob Zuma etj. Dhe kjo mund të jetë “Thembra e Akilit” e Trump. Qytetarët tolerojnë një sasi të caktuar korrupsioni nëse vetë janë mirë ekonomikisht.
Por sapo shkurtimet në administratë të fillojnë të japin efektin e tyre, ata do të jenë të tmerruar nga kontratat e motivuara politikisht, nga grabitja e hapur e parave përmes mashtrimeve piramidale si kriptomonedhat, dhe nga të gjitha lojërat e tjera të qasjes me pagesë në Uashington.
Trump mund t’i shkaktojë shumë dëme Musk, dhe do ta bëjë këtë për t’i dërguar një mesazh kujtdo që po mendon të tradhtojë. Por edhe Musk mund t’i shkaktojë shumë dëme Trumpit, duke përforcuar një mesazh antikorrupsion përmes platformës së tij të mediave sociale.
Sigurisht Musk nuk është Alexei Navalny. Por nëse lufta Musk-Trump ndizet sërish pas armëpushimit aktual - dhe nëse Musk vendos të bëjë publik një rrëfim të detajuar mbi praktikat korruptive të administratës aktuale - kjo mund t’i shkaktojë dëme të vërteta Trumpit. /Përshtati “Pamfleti” nga “Eurasia Riview”
Lini një Përgjigje