
Ish-presidentit amerikan Harry S.Truman i njihet shpesh merita për thënien e famshme: “Nëse do një mik në Uashington, atëherë gjej një qen!”. Ne nuk e dimë se sa miq të vërtetë ka Donald, por një gjë që mbetet konstante me kalimin e kohës, është se presidenca është ndoshta ende puna më e vetmuar në Uashington...
Ish-presidentit amerikan Harry S.Truman i njihet shpesh merita për thënien e famshme: “Nëse do një mik në Uashington, atëherë gjej një qen!”. Në fakt, ai nuk e tha kurrë diçka të tillë. Madje edhe një herë që iu dhurua një qen (Feller), bashkëshortja e tij, Bess, nuk e lejoi që ta mbante në Shtëpinë e Bardhë.
Ndaj e mori në kujdestari mjeku i presidentit. Ekziston një mendim popullor se politikanët kanë pak miq të vërtetë, dhe se miqësitë që ekzistojnë në Uashington janë të përkohshme dhe të pabesueshme. Grindja shumë e zhurmshme që shpërtheu javën e kaluar midis Elon Musk dhe presidentit Trump, vetëm sa e përforcoi këtë stereotip.
Musk mund ta ketë quajtur dikur Donald Trumpin si “miku im më i rëndësishëm”, por me ndarjen që u pa ditët e fundit u bë e qartë se gjërat qëndronin ndryshe. Ajo që supozohet se e dekurajoi Musk-un, ishte zbulimi i tij i vonuar se projektbuxheti i ri nuk e ul, përkundrazi e rrit më tej defiçitin, me të paktën 2.5 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Motoja e tij e re u bë “Rrëzoje projektligjin”, dhe ai u zotua të godiste këdo që do të votonte pro tij, dhe se do të formonte një parti të re. Madje shkoi aq larg sa aludoi mbështetjen për shkarkimin e Trump nga detyra, duke i rikujtuar këtij të fundit se përmendej në dosjet e të dënuarit për abuzime seksuale Jeffrey Epstein.
Seti i parë i dosjeve qeveritare u publikua pjesërisht nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi më 27 shkurt të këtij viti. Më pas Musk i fshiu postimet e tij platformën X mbi shkarkimin dhe Epsteinin, ndoshta duke sinjalizuar një zbutje të marrëdhënieve midis tyre.
Trump iu kundërpërgjigj sulmeve të Muks në mediat sociale, duke kërcënuar se do të ndërpresë financimin e kontratave fitimprurëse qeveritare të multimiliarderit për hapësirën, dhe duke deklaruar se me sa duket Musk ishte “çmendur”.
Ai tha se ajo që e kishte mërzitur vërtet Musk, ishte humbja e subvencioneve qeveritare për prodhimin e makinave elektrike Tesla. A është grindja e tyre e shpejtë një provë se në Uashington nuk ka miqësi apo besnikëri të vërteta?
Ndoshta jo. Rasti i tyre është atipik. Është më tepër një shembull i dy njerëzve shumë egoistë, shumë të pasur, të plotfuqishëm dhe shumë konkurrues që luftojnë për vëmendje dhe supremaci. Dhe kjo vështirë se është një bazë e fortë për rritjen e miqësive të vërteta, e lëre më pastaj për besnikëri të qëndrueshme, qoftë në Uashington apo diku tjetër.
Përçarja Trump-Musk, ngre pikëpyetjen nëse besnikëria është më pak e mundur dhe më e paqëndrueshme në një mjedis politik, ku fitorja përshkruhet shpesh si gjithçka që ka rëndësi.
Mendoni pak për paradën e gjatë të zyrtarëve që patën mosmarrëveshje me Shtëpinë e Bardhë në administratën e parë të Trump, si Michael Flynn, Rex Tillerson, John Kelly, James Mattis, HR McMaster, John Bolton, Nikki Haley dhe të tjerët.
Ose merrni rastin e njerëzve të ish-presidentit Biden që ose heshtën, e mbuluan ose mohuan rënien e aftësive të tij mendore. Ish-sekretarja e shtypit e Biden, Karine Jean-Pierre, është shembulli më i fundit, duke deklaruar kalimin e saj me partinë Independent, përmes botimit të librit të saj, “Independent: Një vështrim brenda një Shtëpie të Bardhë të thyer, jashtë vijave të partisë”.
Asnjë parti apo president nuk ka kontroll mbi të zhgënjyerit që ose japin dorëheqjen ose shkarkohen nga puna. Kjo ndodh shpesh me ata, besnikëria e të cilëve është në radhë të parë ndaj Kushtetutës së SHBA-së dhe jo ndaj presidentit të tyre.
Ky fenomen është më i dukshëm në nivelet e Shtëpisë së Bardhë ose të kabinetit qeveritar, ku rreziqet janë më të larta dhe ku luftërat për pushtet janë shpesh më të egra. Anëtarët e Kongresit vijnë e shkojnë me humbje në zgjedhje, dalje në pension dhe aspirata për poste më të larta.
Por ish-zyrtarë e tyre të lartë zakonisht qëndrojnë dhe punojnë për anëtarë të tjerë të Kongresit. Kur pjesëtarët e stafit të parlamentit lodhen, nisin ndonjëherë punë si lobistë, me grupe ekspertësh ose në universitete, duke e zgjeruar vazhdimisht rrethin e miqve të tyre të ngushtë.
Ata që duan të shfrytëzojnë të shkuarën e tyre të lavdishme dhe postet e pushtetit për famë dhe pasuri si yje të medias apo autorë librash sensacionalë, kanë një gjysmë-jetë shumë të shkurtër dhe shpesh rrethi i ish-miqve të tyre tkurret shumë.
Çfarë lidhje ka e gjithë kjo me super-luftën midis Donald Trump dhe Elon Musk? Jo dhe aq shumë. Sepse ata ndjekin rrugët e tyre të ndara, duke vazhduar të grumbullojnë pushtet, teksa e humb rëndësinë çdo lloj aludimi për miqësitë dhe besnikëritë e së kaluarës.
Nuk ka shumë gjëra me të cilat mund të identifikohen apo t’u interesojnë qytetarëve të zakonshëm, përveç vlerës së tyre thjesht argëtuese. Donald Trump është i vetmi president në një shekull që nuk ka pasur qen gjatë kohës që është në detyrë.
Një artikull i Newsweek në gushtin e vitit 2018, theksonte se “Trump nuk i pëlqen qentë dhe qentë nuk e pëlqejnë atë”, duke cituar ish-gruan e tij të parë, Ivana, nga libri i saj me kujtime “Donald nuk ishte fans i qenve”.
Pra ai nuk e donte qenin e saj të vogël, Chappie, dhe anasjelltas. Ne nuk e dimë sa miq të vërtetë ka Donald, por një gjë që mbetet konstante me kalimin e kohës, është se presidenca e SHBA-së është ndoshta ende puna më e vetmuar në Uashington./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Hill”
Shënim: Don Wolfensberger është një veteran i stafit të Kongresit të SHBA-së me 28 vjet përvojë.
Lini një Përgjigje