
Pa asnjë njoftim zyrtar dhe pa transparencë, spitali privat "Salus-Tirana" merr shërbimin jetik; prapa koncesionit qëndron Olti Peçini, i njohur nga skandali "Rapiscan"...
Një tjetër koncesion në sektorin e shëndetësisë është zbuluar së fundmi, i cili nuk është bërë publik as nga Ministria e Shëndetësisë, as nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Spitali privat "Salus-Tirana", në një njoftim më 26 prill 2025, ka bërë të ditur se ofron shërbimin e hemodializës, duke deklaruar se ky shërbim financohet nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë, deri tani, koncesioni i vetëm zyrtar për hemodializën në Shqipëri është ai i dhënë në shkurt të vitit 2016 nga qeveria Rama-Beqja, në vlerë 100 milionë euro, për kompaninë “Dia Vita” të Spitalit Amerikan. Ky shërbim kryhet në vetëm pesë spitale (Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan), duke mbuluar vetëm rreth 25% të pacientëve kronikë në vend.
Pacientët e rretheve të tjera detyrohen të udhëtojnë drejt QSUT në Tiranë, shpesh duke shpenzuar vetë për transportin privat.
Hapja e qendrës së re në spitalin privat "Salus-Tirana" mund të lehtësojë këtë ngarkesë, por mungesa e transparencës mbi kushtet e financimit dhe procedurat e dhënies së këtij koncesioni të ri ngre shqetësime serioze.
Në faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera relevante, mungon çdo informacion për kalimin me tender apo negociim të këtij shërbimi te "Salus-Tirana".
Gjithashtu, nuk ka të dhëna as për numrin e pacientëve që do trajtohen, as për kostot për pacientë dhe totalin vjetor që shteti do paguajë nga fondet publike.
"Salus-Tirana" prezantohet si një spital italian, por në fakt vetëm 3.5% të pronësisë e kanë dy shtetas italianë, Sidney Stock dhe Franco Stock. 96.5% është në duart e Anastas dhe Olti Peçinit, ky i fundit i njohur për skandalin me koncesionin "Rapiscan" për skanimin në Portin e Durrësit./Pamfleti
Lini një Përgjigje