
Skema e qeverisë Rama për transformimin e hapësirave publike në projekte komerciale dhe heshtja për detyrimet sociale...
Vendimi për rindërtim pas tërmetit po keqpërdoret nga qeveria për të justifikuar interesa private, duke dëmtuar qytetarët dhe zhvillimin social
Pas nxjerrjes në ankand të Pallatit të Kongreseve dhe qendrës stërvitore të Gardës së Republikës për ndërtimin e kullave, kryeministri Edi Rama ka vënë në shënjestër edhe tregun e madh te Medreseja në rrugën “5 Maji”.
Me pretendimin se kjo zonë do të bëhet pjesë e një "zhvillimi urban" me njësi banimi e tregtare, Agjencia e Territorit, e drejtuar vetë nga Rama, në bashkëpunim me kryebashkiaken në detyrë të Tiranës, Anuela Ristani, ka filluar procedurat për ngritjen e kullave në këtë hapësirë publike.
Për të realizuar këtë projekt, do të përdoret Vendimi Nr. 78, datë 31 janar 2020, sipas të cilit zona "5 Maji", ku përfshihet dhe tregu i Medresesë, është përcaktuar si zonë e zhvillimit të detyrueshëm urban për shkak të emergjencës së tërmetit.
Në të vërtetë, ky vendim u miratua për ndërhyrje emergjente në zonat e prekura nga tërmeti, por është abuzuar hapur duke shkatërruar me forcë dhjetëra banesa private për të ndërtuar pallate në favor të kompanive pranë qeverisë.
Përfshirja e tregut të Medresesë në këtë skemë është një tjetër rast flagrant abuzimi, pasi ky treg nuk ka lidhje me emergjencën e rindërtimit dhe nuk përfaqëson interes publik. Interesi real qëndron në përfitimet private të ndërtuesve dhe pushtetarëve të lidhur me ta.
I vetmi pretendim publik është detyrimi ligjor që 3% e sipërfaqes së ndërtuar të përdoret për banesa sociale. Megjithatë, edhe ky detyrim nuk është respektuar në mënyrë transparente, pasi nuk është bërë publik asnjë rast se ku janë ndërtuar këto banesa sociale.
Edi Rama ka aplikuar të njëjtën skemë në më shumë se 1500 hektarë toka në bregdet, plazhe dhe parqe natyrore në Himarë, Vlorë, Sarandë, Tiranë, Lalëz, Durrës, Kavajë, Shëngjin dhe Velipojë, duke ua dhuruar apo shitur oligarkëve me vetëm 5-10% të vlerës reale./Pamfleti
Lini një Përgjigje