
Ja strategjia që po përdor Berisha për të shmangur Kodin Zgjedhor...
Pas një javë heshtje, Sali Berisha të enjten doli para mediave për të dhënë sqarime mbi kontratën 6 mln dollarë me “Continental Strategy”. Por edhe pse nuk tha asgjë se si do të mblidhen aq shumë para, ai u kujdes të theksonte disa herë se kontrata nuk ka lidhje me zgjedhjet. Sipas Berishës ajo është kontratë më vete dhe vetëm kontrata me LaCivita ka lidhje me fushatën.
Por deklarata e Berishës, është një manovër strategjike që ai t’i shmngë ligjin. Për të qenë më të qartë. Në nenin 92/1 të Kodit Zgjedhor thuhet:
“1. Subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre mund të marrin fonde për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për qëllim të këtij ligji, konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, përfshirë kandidatët e tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime. Vlera e shumës sipas fjalisë së parë të kësaj pike, indeksohet nga KQZ- ja çdo pesë vjet sipas normës së inflacionit”.
Berisha kontratën e lobimit e shet si një “dhuratë” nga atdhetarët në SHBA. Ai tha se PD nuk do të paguajë asnjë lekë dhe shpenzimet do të mbulohen nga fondacioni “Make Albania Great Again”. Por ai kujdeset t’i shmanget nenit 92/1, i cili e specifikon se nuk lejohen kontribute më shumë se 1 mln lekë.
Berisha e shet lobimin si kontribut jashtë zgjedhjeve, duke futur në lojë nenin 21 të Ligjit për Partitë politike, i cili në pikën dy thekson: “Lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas”. Pra nuk ka asnjë kufizim.
Përmes kësaj manovre, Berisha shmang detyrimin të deklarojë në KQZ kontratën si shpenzim fushate. Kodi shprehet qartë se 60 ditë nga dalja e rezultatit çdo parti duhet të deklarojë shpenzimet. Pagesa e parë e lobimit është 750 mijë dollarë, pra shumë herë se 1 mln lekë.
Por me shumë gjasë Berisha nuk do e fusë aty shpenzimin, duke shmangur ndëshkimin nga KQZ dhe hapjen e telasheve ligjore. Deklarimi pritet të bëhet më pas, kur çdo parti bën deklarimet e saj financiare, duke e deklaruar si një shërbim “dhuratë”. Këtu është dhe kleçka. SPAK është duke pritur kur do të bëhet deklarimi, pasi vetëm nëse nuk bëhet fare mund të kemi hetim.
Mos harrojmë se Ilir Meta dhe Basha u proceduan vetëm sepse në KQZ nuk deklaruan shumën e saktë të lobimit. Ndërsa Basha u akuzua për falsifikim formulari, pasi akuza e pastrimit të parave i ra.
“Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”, shprehet SPAK në dosjen e Metës.
Pra duket se Berisha është këshilluar gjatë me juristët pranë tij, duke mos e shitur si shpenzim fushate. Por testi do të jetë se çfarë do të deklarojë më pas, pasi aty mund t’i hapet rruga SPAK-ut. /Pamfleti
Lini një Përgjigje