TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 3 Maj 2025, 16:23

Aktiviteti kriminal e korruptiv i Tom Doshit: Nga monopoli i ilaçeve, pastrimi i parave dhe bastet, te “non grata” dhe 2.700 tenderët

Shkruar nga Pamfleti
Aktiviteti kriminal e korruptiv i Tom Doshit: Nga monopoli i ilaçeve,
Tom Doshi në fushatë

Kush do shkojë më parë në burg, Toma apo Beneti?

Nëse qeverisja 12-vjeçare e Edi Ramës është e korruptuar, një nga përfituesit më të mëdhenj të kësaj qeverie është Tom Doshi.

Mbi 2 700 tenderë në shëndetësi përmes Aqif Hoxhës, monopolin e prodhimit të barnave (ujë dhe gëlqere), leje për kulla dhe restore nga Tirana në bregdet, ndërmjetës për leje ndërtimi për të tjerët në AZHT, evazion fiskal, pastrim masiv parash, diktim drejtorësh lokalë dhe qendror, kontroll i basteve sportive të paligjshme, kontrabandë, lidhje me grupet kryesore kriminale (Durim Bamin, Bajrat, Pëllumb Gjokë etj), ndikime të paligjshme, pastrim parash në ndërtim, blerje votash me para të pista, shantazhe, kërcënime publike dhe të fshehta, duke mos kursyer as kryeministrin Edi Rama, ministra, drejtues policie, prokurorë dhe gjyqtarë.

Për secilën nga këto veprimtari dhe përfitime ka fakte dhe prova, ka dëshmitarë, ka dosje dhe ka evidenca konkrete. Jo rastësisht është ‘non grata’ në SHBA dhe Australi. Jo rastësisht, emri i Tom Doshit rezulton në të paktën 30 dosje të SPAK-ut, për grupet kriminale, korrupsion dhe pastrim parash. SPAK, shërbimet informative dhe ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë janë në dijeni deri në detaje të veprimtarisë së zezë të Tom Doshit.

Me paratë e tenderave, monopolit të barnave, lojërave të fatit dhe kontrabandës, Tom Doshi ka zgjeruar ndikimin e tij elektoral, duke marrë disa mandate, me të cilët më pas i imponohet Edi Ramës për të zgjeruar përfitimet e paligjshme nga paratë dhe pasuritë publike. Arsyeja se pse Rama nuk e ka goditur ende Tom Doshin përmes SPAK-ut, ka të bëjë me llogaritë elektorale, pasi votat që mbledh Doshi, sidomos në Shkodër, nëse do të goditej, këto vota nuk do t’i merrte dot PS-ja, por PD-ja.

Herë pas here, Doshi i bën presion Edi Ramës, por gjithnjë me kujdes, pa e kaluar vijën e kuqe. Gjatë kësaj fushate, Tom Doshi i ka fokusuar sulmet ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Arsyeja është e thjeshtë. Benet Beci nuk i nënshtrohet shantazhit të Tomës, kërkesave dhe interesave të tij, nuk ulet me të në pazare, madje i ka shkarkuar edhe disa drejtorë lokalë në Shkodër. Kjo është arsyeja e sulmit. Askujt nuk i digjet barku për PS dhe socialistët, por vetëm kur i preken xhepat e thellë personalë.

Ditën e sotme, Tom Doshi u ka bërë thirrje socialistëve që të votojnë atë dhe jo Benet Becin, i cili sipas tij do të shkojë në burg pas 11 majit. Benet Beci mund të jetë hajdut, por Beci është kryetar bashkie dhe nuk votohet në këto zgjedhje. Benet Beci mund të jetë i PD, por atë e ka vendosur Edi Rama dhe ka besimin e Ramës.

Ndaj do ishte më mirë dhe ndoshta më efikase që Toma t’a bënte luftën me Ramën dhe jo në mënyrë të tërthortë, me të besuarin e tij, Benet Becin. Benet Beci mund të shkojë në burg pas 11 majit për korrupsion, por gjasat janë që para Benetit në burg të përfundojë Tom Doshi, para të cilit bëmat e Benetit janë të papërfillshme. /Prapaskena

Lini një Përgjigje