Skandal/ Dosjet e tenderëve dhe PPP-ve të disa ministrive dhe institucioneve shtetërore, që po hetohen nga SPAK-u dhe prokuroritë rajonale, janë zhvendosur fshehtas në magazinat e kompanisë private “Albanian Archives” në pronësi të trafikantit Eral Myftaraj. Përfaqësuese e kësaj kompanie është Ornela Pëllumb Balla, sekretare gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo skemë, e zbuluar nga SHISH dhe e toleruar nga kryeministri Rama, konfirmon kapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelet më të larta.
Në datën 27 prill 2025, "Pamfleti" publikoi skandalin e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu, e cila kishte urdhëruar nxjerrjen e dosjeve të tenderëve dhe PPP-ve nga zyrat e ministrisë dhe transferimin e tyre në një adresë të panjohur dhe jashtë Arkivës së Shtetit.
Ky veprim skandaloz u zbulua nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), i cili ia raportoi menjëherë Kryeministrit Edi Rama, si autoritet i drejtpërdrejtë mbi ministren Koçiu. Heshtja e kryeministrit pas këtij raporti ngre dyshimin e arsyeshëm se ai mund të ketë qenë në dijeni të plotë të zhvendosjes së këtyre dokumenteve sensitive, madje mund të ketë qenë vetë ai që ka urdhëruar këtë lëvizje.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka menduar se i ka fshehur këto dosje në një vend sekret, një informacion ekskluziv i ardhur në redaksinë e "Pamfletit" pas publikimit të skandalit, konfirmon se këto dosje të rëndësishme shtetërore janë zhvendosur në godinën Nr. 8/35 në Kashar, e cila është selia e kompanisë private të arkivimit “Albanian Archives”.
Në magazinat e kësaj kompanie private janë dërguar në mënyrë të fshehtë edhe dosjet e tenderëve, koncesioneve, kontratave simbolike “1 Euro” dhe dokumente të tjera që lidhen me afera të rënda financiare të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, OSHEE-së, KESH-it dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pjesa dërrmuese e këtyre dokumenteve janë aktualisht objekt hetimi nga SPAK-u dhe prokuroritë rajonale në vend.
Përtej shkeljes flagrante të ligjit dhe rregullave arkivore të shtetit shqiptar, që detyron ruajtjen e dokumenteve zyrtare në ambiente shtetërore, skandali rëndohet akoma më tepër pasi kompania “Albanian Archives” rezulton të jetë nën administrimin dhe pronësinë e trafikantit të njohur Eral Myftaraj.

Kjo kompani u krijua më 23 gusht 2019, ndërsa Myftaraj zotëron 40% të aksioneve. Ai njëkohësisht është pronar i kompanive të tjera problematike, si “Meteo” dhe “AL-Mexwood”, duke zotëruar edhe një koncesion pyjor 35-vjeçar në zonën e Peqinit, përmes të cilave ka marrë mbi 60 milionë Euro nëpërmjet tenderëve dhe fondeve shtetërore.
Eral Myftaraj njihet edhe si pjesë e bandës kriminale të Zamir Balliut, e cila është e përfshirë në kontrabandën e hekur-nikelit, armëve, makinave, trafikut të drogës dhe financimit të grupeve kriminale që kanë ushtruar presion e dhunë ndaj mediave dhe bizneseve rivale.
Kur ministër i Brendshëm dhe i Bujqësisë ishte Bledi Çuçi, Myftaraj mburrej hapur duke deklaruar se bizneset e tij i kishte ortakëri me ministrin Çuçi dhe se ai ishte financues i rregullt i fushatave të Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit. Kjo është edhe arsyeja, sipas tij, pse askush nga organet ligjzbatuese nuk e prekte dhe ai vazhdonte të përfitonte fonde publike pa shqetësim.
Skandali bëhet edhe më tronditës kur zbulohet se përfaqësuesja ligjore që kryen veprimet zyrtare të kompanisë private “Albanian Archives”, e autorizuar direkt nga trafikanti Eral Myftaraj, është Ornela Pëllumb Balla, ish-Specialiste e Lartë në Komisionin e Apelimit të Vetingut për prokurorët dhe gjyqtarët, dhe aktualisht Sekretare Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ky fakt tronditës dëshmon qartë kapjen dhe përdorimin e institucioneve ligjzbatuese nga grupet kriminale, si dhe korrupsionin në nivelet më të larta shtetërore. Ky rast kërkon një reagim të menjëhershëm nga SPAK-u dhe organet hetimore, për të zbardhur këtë aferë të paprecedent dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe institucionet e shtetit ligjor./Pamfleti
Lini një Përgjigje