
Kryebashkiaku socialist i Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka bllokuar pagesat e ndihmës ekonomike të muajve shkurt-prill 2025, duke planifikuar t'i shpërndajë ato vetëm një javë para zgjedhjeve, me qëllim manipulimin dhe joshjen e votuesve. SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë tashmë në dorë dokumentet e këtij skandali zgjedhor...
Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kryebashkiaku socialist i Pogradecit, Ilir Xhakolli, është përfshirë hapur në manipulime për blerje votash, duke mbajtur peng prej tre muajsh pagesën e ndihmës ekonomike, e cila normalisht duhet të jepej çdo fillim muaji.
Sipas dokumenteve zyrtare që disponon “Pamfleti”, Këshilli Bashkiak i Pogradecit, me kërkesë të Xhakollit, ka miratuar me vonesë dhënien e ndihmës ekonomike për muajt shkurt, mars dhe prill 2025. Pagesat janë programuar në mënyrë skandaloze të shpërndahen të gjitha së bashku vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve, për të joshur votuesit e varfër dhe për të ndikuar mbi rezultatin zgjedhor.
Në vendimin nr. 23, datë 27 mars 2025 dhe shkresën nr. 1631/2, datë 17 prill 2025, shihet qartë se kjo është një skemë e organizuar me qëllim influencimin e votës. Kryebashkiaku Ilir Xhakolli, së bashku me Këshillin Bashkiak, e kanë përdorur varfërinë e qytetarëve si mjet presioni për përfitime politike, duke u shpërndarë pagesat sociale pikërisht në prag të zgjedhjeve.
Skandali bëhet edhe më flagrant nga fakti se pagesat do të dorëzohen fizikisht në dorë, familje më familje, nga punonjësit e shërbimit social, grupe zyrtarësh të bashkisë dhe drejtues të PS-së në terren. Emrat e koordinatorëve që do të shpërndajnë pagesat janë tashmë të dokumentuar në të gjitha njësitë administrative dhe qytetin e Pogradecit.
Këto veprime përbëjnë prova të qarta për një krim zgjedhor, të cilin SPAK dhe Task-Forca e Prokurorisë së Përgjithshme, e vendosur tashmë në Qarkun e Korçës, duhet ta hetojnë menjëherë për të parandaluar manipulimin e zgjedhjeve.
“Pamfleti” ka në dispozicion dokumentacionin zyrtar, që provon skandalin dhe e vë në dispozicion të institucioneve hetimore, për të vepruar menjëherë ndaj autorëve të kësaj skeme korruptive elektorale./Pamfleti



Lini një Përgjigje