
Ministrja e Shëndetësisë ka fshehur e zhdukur dokumentacionin e tenderëve dhe PPP-ve që zbulojnë aferat korruptive të Ogerta Manastirliut dhe të saj. SHISH informon Ramën, ndërsa SPAK dhe BKH heshtin...
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, nuk është mjaftuar vetëm me zhdukjen e dokumenteve financiare të ilaçeve të rimbursuara në vitet 2020-2023, siç denoncoi më herët "Pamfleti", por tani ka bërë një tjetër grabitje flagrante, këtë herë duke zhdukur dokumentacionin e tenderëve dhe PPP-ve që rëndojnë mbi kokën e saj dhe të paraardhëses Ogerta Manastirliu.
Një raport sekret i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), që i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama, konstaton se në fundjavën e 5-6 prillit 2025, një grup zyrtarësh të Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me persona pa asnjë lidhje institucionale, kanë nxjerrë me shpejtësi qindra arka dhe thasë plot dokumente zyrtare nga godina e ministrisë, duke i transportuar drejt një destinacioni të panjohur me automjete private.
Sipas SHISH, gjithçka është kryer me urdhër të drejtpërdrejtë të Albana Koçiut, e cila mban përgjegjësinë e plotë ligjore dhe administrative për çdo dokument që del apo futet në ministri.
Materialet e zhdukura janë pjesë e arkivës së aktivitetit administrativ, ekonomik e financiar të Ministrisë së Shëndetësisë, kryesisht për tenderët dhe koncesionet famëkeqe të periudhës 2016-2024. Këto dokumente nuk janë dorëzuar në Arkivën e Shtetit, as në QSUT apo në ndonjë magazinë tjetër të miratuar zyrtarisht për ruajtjen dhe sistemimin e tyre.
Ky veprim kriminal i ministres është një tentativë e hapur për të fshehur korrupsionin masiv që ka ndodhur në Shëndetësi gjatë mandatit të saj dhe sidomos gjatë periudhës kur ministrinë e drejtonte Ogerta Manastirliu. Dokumentet që janë grabitur përfshijnë vendime, urdhëra, projekte, financime dhe kontrata tenderësh e PPP-sh, për të cilat ligji urdhëron ruajtjen për të paktën 15 vite brenda institucionit.
Kjo zhdukje e dokumenteve përbën pengesë të drejtpërdrejtë për hetimet që ka nisur Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) për aferat me laboratorët dhe Check-up. Nëse sot BKH do të kontrollojë zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk do të gjejë asnjë dokument, sepse Albana Koçiu i ka pastruar të gjitha gjurmët e korrupsionit të saj dhe të Manastirliut.
Në këtë skandal të rëndë, heshtja e SPAK-ut është edhe më skandaloze. Prokuroria e posaçme ka për detyrë ligjore të nisë hetimet dhe të zbulojë destinacionin e këtyre dokumenteve, si dhe të identifikojë bashkëpunëtorët e ministres që kryen grabitjen me automjete private, në ditë pushimi.
Nëse edhe këtë herë drejtësia nuk vepron, atëherë SPAK-u konfirmon akuzën e rëndë se është kthyer në mbrojtës të korrupsionit qeveritar./Pamfleti
Lini një Përgjigje