Eni Vasili pritet të zgjidhet nesër Drejtore e Përgjithshme e RTSH-së, pavarësisht se është aksionere dhe administratore e kompanisë private të reklamave "Open Media & Marketing Consulting". Ky fakt përbën shkelje flagrante të ligjit dhe konflikt interesi, ndërsa platforma e saj e kthen televizionin publik në shërbim të qeverisë...
Ditën e nesërme pritet që gazetarja Eni Vasili të zgjidhet Drejtore e Përgjithshme e Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH), në shkelje flagrante të ligjit dhe në konflikt të pastër interesi.
Sipas dokumenteve dhe CV-së së paraqitur në procesin e kandidimit, Eni Vasili rezulton të jetë aktualisht aksionere dhe administratore e kompanisë së reklamave dhe marketingut "Open Media & Marketing Consulting". Ky fakt bie në kundërshtim të hapur me nenin 104, pika 1/b të ligjit nr. 97/2013, "Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë", ku përcaktohet qartë se kandidati për drejtues të RTSH nuk mund të jetë në konflikt interesi me kompani private në fushën e medias dhe reklamave.
Kalimi i kandidaturës së saj në fazën finale, duke shpërfillur këtë konflikt interesi, përbën veprën penale të shpërdorimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe anëtarët që kanë miratuar këtë kandidaturë.
Një tjetër fakt skandaloz lidhet me platformën menaxheriale që Vasili ka prezantuar gjatë kandidimit. Në dokumentet që ajo ka dorëzuar, shihet qartë se qëllimi i saj është kthimi i RTSH-së nga një televizion publik në një televizion shtetëror, duke e vënë hapur këtë institucion nën varësinë direkte të qeverisë, në kundërshtim me çdo parim të medias publike.
Ky zhvillim, nëse nuk ndalet në kohë, do ta thellojë edhe më tej degradimin e RTSH-së, duke e kthyer në një zgjatim të propagandës qeveritare dhe duke eliminuar çdo standard të pavarësisë editoriale.
Institucionet përkatëse, duke nisur nga Kuvendi e deri te SPAK-u, duhet të reagojnë urgjentisht për këtë skandal të rëndë, duke hetuar dhe parandaluar shkeljen flagrante të ligjit dhe kapjen politike të institucionit publik më të rëndësishëm mediatik në vend./Pamfleti




Lini një Përgjigje