TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Prill 2025, 16:18

Rikthimi i imponuar dhe "spektakolar" i Eni Vasilit: Një telenovelë politike!

Shkruar nga Pamfleti
Rikthimi i imponuar dhe "spektakolar" i Eni Vasilit: Një
Eni Vasili /

Këshilli i Ri Drejtues i RTSH, që sapo u emërua me qëllimin për të "reformuar" televizionin publik, e ka nisur mandatin duke u vënë në mënyrë të imponuar, përballë  kandidaturës së një figure aq të diskutueshme, saqë çdo pretendim për reformë duket tragjikomik...

Në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ngjarjet e fundit kanë tejkaluar edhe fantazitë më kreative të një skenari telenovele. Këshilli Drejtues i RTSH-së u hodh poshtë në mënyrë të rrufeshme nga politika (PD dhe PS), vetëm sepse kishte bërë "gabimin e pafalshëm" të skualifikonte Eni Vasilin, gazetaren e njohur më shumë për lidhjet komplekse sesa për profesionalizmin e saj të diskutueshëm.

Eni Vasili, emri i së cilës është shfaqur më shumë në thashetheme politike e mediatike sesa në kronikat e suksesit, njihet për një integritet që është aq i dyshimtë sa edhe elokuent.

Karriera e saj, që për ironi është përshkruar nga një fleksibilitet i jashtëzakonshëm ndaj interesave politike, tani po kalon në një episod tjetër dramatik. Sot, në mënyrë "rastësore" pikërisht në ditën e fundit të dorëzimit të aplikimeve, ajo ka vendosur të kandidojë sërish për Drejtoreshë të Përgjithshme të RTSH-së. Ky hap nuk është thjesht një përpjekje për rikthim, por një imponim i hapur ndaj 11 anëtarëve të Këshillit Drejtues të sapozgjedhur nga vetë politika, të cilët tani janë në pozitën delikate të moskundërshtimit të dëshirave të politikanëve që i vendosën aty.

Ironia e kësaj situate është e madhe: një Këshill Drejtues i ri, i sapoemëruar, me qëllimin e deklaruar për të "reformuar" televizionin publik, e ka nisur mandatin duke u vënë në mënyrë të imponuar, përballë  kandidaturës së një figure aq të diskutueshme, saqë çdo pretendim për reformë duket tragjikomik.

Kjo situatë groteske nxjerr në pah gjendjen e RTSH-së, një media publike që, në vend të jetë simbol i pavarësisë dhe profesionalizmit, është kthyer në teatër ku luajnë personazhe me skenar të paracaktuar politik. Publiku shqiptar meriton më shumë sesa një televizion që përdoret si lodër në duart e figurave të njohura për sjellje të pahijshme, por të maskuara me finesë politike.

Është momenti që RTSH të shkëputet nga komeditë politike dhe t’i kthehet publikut me profesionalizëm dhe integritet të vërtetë, duke zgjedhur figura që nuk imponohen nga jashtë, por që respektojnë standardet e larta mediatike dhe publike./Pamfleti

eni vasili rtsh drejtoreshë e imponuar

Lini një Përgjigje