
Është shtyrë sërish seanca paraprake për kreun e PD-së Sali Berisha, lidhur me dosjen “Partizani”. Kjo është hera e pestë që seanca në GJKKO shtyhet dhe Berisha vijon t’i shpëtojë gjykimit lidhur me aferën “Partizani”.
Bëhet me dije se në seancën që u mbajt sot nuk u mor asnjë vendim. Seanca paraprake për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” është shtyrë për në datën 18 prill, ora 9:30. Shkak është bërë mungesa e avokatit të Fatmir Bektashit.
Edhe herën e kaluar, më 11 prill seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të ortakut të Malltezit, Xhimi Begejas. E njëjta taktikë u ndoq edhe më 4 Prill, ku mungoi avokati i dhëndrit të Berishës. Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”, ndërsa kalimi në gjyq do të ishte përballja e parë e vërtetë e të dyve me sistemin e drejtësisë.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv të klubit Partizani, një çështje që ka qenë në qendër të hetimeve për dyshimet për korrupsion dhe shkelje të ligjit nga ana e ish-kryeministrit Berisha. Sot ishte planifikuar që gjykata të vendoset nëse do të pranonte kërkesën e SPAK, për ta gjykuar çështjen.
Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin "Partizani" që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.
Të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
-Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
-Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' akuzohet për 'Pastrim Parash'
-Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k - Akuzohet për 'Pastrim Parash'
Lini një Përgjigje