Gellért Jászai, një nga njerëzit që u pasurua gjatë epokës së Viktor Orbanit, po lëviz me shpejtësi në rajon pas humbjes së pushtetit në Hungari. Pas takimit të fshehtë me Edi Ramën në Tiranë, ai negocioi edhe me kryeministrin e ri malazez për zgjerimin e infrastrukturës dixhitale.
Humbja e pushtetit nga Viktor Orban në Hungari duket se ka vënë në lëvizje rrjetin ekonomike të ndërtuar prej tij ndër vite.
Një nga njerëzit më të fuqishëm të kësaj skeme, biznesmeni Gellért Jászai, po tenton të zhvendosë dhe zgjerojë influencën në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur Shqipërinë dhe Malin e Zi si bazë të re për investimet strategjike.
Jászai, aksioneri kryesor i grupit 4iG dhe pronari i “One Albania”, brenda pak ditësh ka zhvilluar takime në Tiranë dhe Podgoricë për projekte të mëdha në telekomunikacion, "Data Center"-a dhe infrastrukturë dixhitale.
Lëvizjet e tij vijnë në një moment kritik për 4iG në Hungari. Kryeministri i ri Peter Magyar ka paralajmëruar auditime, hetime dhe ndërprerje të kontratave shtetërore për kompanitë që u fuqizuan gjatë viteve të Orbanit përmes lidhjeve politike dhe favoreve shtetërore.
Mes tyre është pikërisht 4iG, kompania që në vetëm pak vite u kthye nga një biznes modest në një gjigant telekomunikacioni me vlerë miliarda euro.
Sipas listave të publikuara në Hungari për vitin 2025, Gellért Jászai renditet mes 10 njerëzve më të pasur të vendit, me një pasuri të vlerësuar në rreth 264 miliardë forintë hungarezë, pasuri e ndërtuar gjatë periudhës kur Orban kontrollonte pushtetin.
Në këtë klimë të re politike në Budapest, Ballkani duket se po shndërrohet në terrenin e ri të zgjerimit për njerëzit e afërt të ish-kryeministrit hungarez, me shpresën se do të shpëtojnë milionat.
Fillimisht Jászai u shfaq në Tiranë, ku zhvilloi një takim të mbajtur larg vëmendjes publike me Edi Ramën. Takimi nuk u publikua nga qeveria shqiptare dhe detajet dolën vetëm përmes mediave hungareze dhe deklaratave të vetë biznesmenit.
Sipas 4iG, me Ramën u diskutua zgjerimi i “One Albania”, investimet në "Data Center"-a dhe projekti strategjik 2EAGLE", kablli nëndetar që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.
Në praktikë, kjo do t’i jepte grupit hungarez kontroll mbi një pjesë të rëndësishme të korridoreve të transmetimit të të dhënave në Mesdhe dhe Ballkan.
Por menjëherë pas Tiranës, Jászai u zhvendos në Podgoricë. Aty ai zhvilloi negociata me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, për zgjerimin e “One Montenegro” dhe projekte të reja të infrastrukturës dixhitale.

Vetë 4iG deklaroi se Mali i Zi mbetet “partner strategjik” i grupit në Ballkanin Perëndimor dhe se kompania synon të luajë rol afatgjatë në modernizimin e rrjeteve dhe teknologjive të gjeneratës së ardhshme.
Në thelb, po krijohet një bosht i ri ndikimi dixhital hungarez në rajon, ku Shqipëria dhe Mali i Zi po shërbejnë si porta hyrëse për zgjerimin e një kompanie që në Hungari po përballet me rrezik politik dhe financiar pas ndryshimit të pushtetit.
Ndërsa në Budapest flitet për hetime dhe shembje të modelit ekonomik të ngritur gjatë epokës së Orbanit, në Ballkan njerëzit e tij po negociojnë kontroll mbi telekomunikacionin, qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën strategjike dixhitale të rajonit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje