
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka reaguar lidhur me skandalin e zhytjes së dy pallateve në Durrës Marina. Ai e ka cilësuar situatën si një provë të dështimit të projektit.
IKMT pranoi se dy pallate gati të përfunduara në kantierin e projektit "Durrës Yacht&Marina" janë zhytur deri në 28 centimetra, duke urdhëruar kompaninë për përforcime urgjente teknike.
Bylykbashi akuzoi qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim, ndërsa pretendoi se projekti i portit të ri ka dëmtuar portin ekzistues të Durrësit dhe po rëndon qytetarët me kosto të mëdha financiare.
Sipas deputetit demokrat, ndërsa planifikohen qindra miliona euro investime për portin e ri në Porto Romano, ende nuk ka një afat të qartë për nisjen e punimeve.
Bylykbashi theksoi se projekti i Durrës Marina nuk po identifikohet më me portin turistik dhe hapësirat për jahtet, por me ndërtimin e mijëra apartamenteve luksoze, për të cilat, sipas tij, kanë nisur problemet që në themele.
Ai deklaroi gjithashtu se specialistët kishin paralajmëruar më herët për problematikat e terrenit dhe shtoi se edhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është detyruar të pranojë situatën, megjithëse sipas tij po minimizohet përmasat e problemit.
Deputeti demokrat akuzoi gjithashtu qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike dhe mashtrim ndaj qytetarëve që kanë investuar në projekt.
“Korrupsioni shqiptar prodhon çudira. Porti i “arabit” asfiksoi portin e Durrësit. As turqit e sulltanit nuk e quajtën dot “Limani i Durrësit”, por ia doli “arabi” i Ramës që t’i heqë Durrësit portin e ta quajnë Porti i Arabit.
Planifikohen qindra miliona euro që t’u merren shqiptarëve me taksa për portin e ri në Porto Romano, por nuk dihet kur fillojnë punimet.
Projekti i portit të marinës së “arabit”, që do 20 vite të mbarojë, nuk njihet për ato dyqind e ca postet e jahteve, por për 12 mijë apartamentet luksoze që po u zhyten themelet që me dy pallatet e para.
Ama, nëse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, megakorrupsioni i Ramës me portin e Durrësit i ka themelet në rërë dhe ujë deti. Gënjeshtra del shpejt. Themelet në ujë zhyten shpejt.
Specialistët e patën paralajmëruar me kohë që themelet nuk do të mbanin. Ja prova!
Sot doli edhe IKMT-ja, që u detyrua të pranojë skandalin, por duke e zvogëluar për ta minimizuar. Burimet e gazetarisë investigative thonë që zhytja është më e madhe se ajo që thotë IKMT-ja. Pra, jo thjesht skandali është më i rëndë, por rreziku është më i madh.
As deti dhe as tërmeti nuk do ta falin batakçillëkun e Ramës.
Vodhën votat, vodhën paratë e taksave të bashkisë së durrsakëve që ia falën “arabit” dhe në fund, vjedhin edhe ata që i gënjyen dhe paguajnë shuma të majme mbi projekte në letër e themele në ujë”, shkruan Bylykbashi.
Lini një Përgjigje