Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias për një opinion mbi projektligjin “Për financimin e partive politike”, një nismë që prek një nga çështjet më sensitive të sistemit politik dhe zgjedhor në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, më 27 prill 2026, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka depozituar kërkesën pranë Komisionit të Venecias, duke kërkuar vlerësim dhe rekomandime për draftin që po diskutohet në Shqipëri.
Kërkesa vjen në një moment kur debati për financimin e partive, transparencën e fondeve dhe kontrollin mbi financimet politike mbetet një nga temat më të diskutuara në raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.
Sipas procedurës, draft-opinioni i Komisionit të Venecias pritet të shqyrtohet dhe të miratohet gjatë sesionit të 147-të plenar, që do të mbahet në Venecia më 12-13 qershor 2026.
Opinioni i Venecias konsiderohet me peshë të veçantë për shkak të ndikimit që ka në proceset ligjore dhe reformuese në Shqipëri, sidomos për çështje që lidhen me standardet demokratike, funksionimin e partive politike dhe garancitë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Lini një Përgjigje