Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvend propozimet për rregulloren e re parlamentare, në një moment kur mazhoranca dhe opozita kanë nisur diskutimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ndryshimet e miratuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në shtator.
Demokratët janë përfshirë këtë herë në proces dhe në dokumentin e dorëzuar kundërshtojnë një pjesë të ndryshimeve të propozuara nga shumica, duke i cilësuar si kufizim të drejtpërdrejtë të rolit të opozitës në Parlament.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është kundër çdo lloj ndryshimi që synon të kufizojë hapësirat dhe të drejtat e opozitës në Parlament”, thuhet në dokumentin e depozituar në Kuvend.
Sipas demokratëve, një pjesë e amendimeve synojnë “ta kthejnë kufizimin faktik të opozitës në kufizim juridik”. Ata kundërshtojnë në mënyrë të veçantë uljen e kohës së diskutimeve nga 10 në 5 minuta, procedurat e përshpejtuara për projektligjet që lidhen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe heqjen e raportimeve të institucioneve kushtetuese në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare.
Në draft, PD propozon edhe ndryshime për mënyrën e funksionimit të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Demokratët kërkojnë që ky organ të ketë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës.
“Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën përbëhet nga një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare”, parashikon drafti.
Një tjetër pikë lidhet me masat disiplinore ndaj deputetëve. Demokratët kërkojnë që vendimet për përjashtim të pezullohen automatikisht në rast se depozitohet ankim në Byronë e Kuvendit.
PD ka propozuar edhe kufizim të zgjatjes së seancave plenare. Në draft kërkohet që diskutimet të ndërpriten pas orës 22:00 dhe të rifillojnë ditën tjetër në orën 10:00, nëse këtë e kërkon kryetari i një grupi parlamentar.
“Në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca plenare ndërpritet dhe rifillon ditën pasardhëse në ora 10:00”, thuhet në propozim.
Demokratët kërkojnë gjithashtu shtim të stafit politik në Kuvend, duke propozuar që çdo komision parlamentar të ketë një punonjës politik të dedikuar për opozitën.
Lini një Përgjigje