TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2026, 13:59

Qeveria subvencionon transportin publik, 50 lekë kompensim për çdo litër naftë

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria subvencionon transportin publik, 50 lekë kompensim për
Qeveria subvencionon transportin publik

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Qeveria ka vendosur të subvencionojë të gjitha shoqatat e transportit publik me 50 lekë për çdo litër naftë, si masë për të përballuar rritjen e çmimit të karburanteve.

Pas mbledhjes së Qeverisë, gjatë komunikimit me gazetarët, ministri bëri me dije se subvencioni do të shtrihet për operatorët e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.

“Në mbledhjen e Qeverisë kaluam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një akt i rëndësishëm është ai i marrë në kuadër të masave subvencionuese që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kohën e krizës së hidrokarbureve për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas”, deklaroi ai.

Karakaçi kujtoi se rreth një muaj më parë ishte zhvilluar një takim me shoqatat e transportit, përfaqësues të bashkisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku u diskutuan shqetësimet dhe problematikat e sektorit.

“Në atë kohë dhamë fjalën se do të kishte një masë subvencionuese dhe tashmë ajo është miratuar. Bëhet fjalë për një kompensim në masën 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik”, tha Karakaçi.

Sipas ministrit, subvencionimi do të aplikohet me efekt prapaveprues që nga muaji mars, periudhë kur nisën të ndiheshin efektet e krizës së çmimeve të karburanteve.

“Një lajm i mirë tjetër është se këtë masë subvencionuese do ta fillojmë që prej muajit mars, kur nisën efektet e krizës. Në këtë kuptim kemi përmbushur një angazhim sipas dakordësive me grupet e interesit”, u shpreh Karakaçi.

 

Lini një Përgjigje