Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar zërat mbi një heqje të mundshme të statusit “non grata” për Sali Berishën, duke deklaruar se problemi real i opozitës nuk lidhet me këtë çështje, por me trashëgiminë politike që, sipas tij, ka lënë lideri historik i Partisë Demokratike.
Në një lidhje direkte me emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2CNN, Malaj u shpreh se Partia Demokratike dikur përfaqësonte shpresën për ndryshim dhe integrim europian, por më pas humbi këtë mision politik.
“Nuk është problemi kryesor i opozitës është apo s’është ‘non grata’ lideri i saj. Problemi është që ajo parti, e cila inspiroi ndryshimin e madh që ndodhi në gjithë Lindjen dhe që do ndodhte edhe në Shqipëri, ishte shpresa dhe ëndrra se Shqipëria do bëhej si gjithë Europa. Pas vitit 1994, që dështoi Kushtetuta, i gjithë aparati shtetëror i Presidentit Berisha u vu në një pozicion armiqësor me pjesën tjetër të vendit, që ishte opozita. Dhe ajo që ka lënë si trashëgimi politike lideri i Partisë Demokratike është një dështim total në të gjitha aspektet”, u shpreh Malaj.
Ai kujtoi edhe një këshillë politike që, sipas tij, ka marrë nga ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, në raport me mënyrën se si ushtrohej pushteti nga Berisha.
“Unë kam pasur fatin që të mësoj nga liderë politikë të PS-së dhe një nga mësimet e vyera që kam marrë nga profesor Servet Pëllumbi ishte këshilla që bënte dhe atëherë përballë Presidentit Berisha. Thoshte: ‘Kujdes, se në politikë vepron efekti i sustës. Sa më shumë ta shtypësh një sustë, aq më shumë kërcen lart’. Kjo ka qenë një nga problematikat më të mëdha të asaj periudhe politike”, deklaroi ish-ministri i Financave.
Malaj komentoi edhe marrëdhënien e Berishës me faktorin ndërkombëtar, duke theksuar se edhe një heqje e mundshme e “non gratës” nuk do të sillte ndryshim të madh politik.
“Nuk ka ndonjë manual diplomatik, por ka një parim vlerash. E para, duaje vendin tënd; e dyta, shërbeji me integritet vendit tënd; e treta, orientohu nga bashkëpunimi, jo nga grindjet. Në mënyrë që të arrish misionin për të cilin ti përbetohesh: të përshpejtosh integrimin, por mbi të gjitha të rritësh cilësinë e integrimit. Edhe sikur t’i hiqet ‘non grata’ Sali Berishës, nuk sjell ndonjë ndryshim të madh, sepse zhgënjimin e ka me ndërkombëtarët”, tha Malaj.
Lini një Përgjigje