Teksa flet për integrim europian, kryeministri shqiptar po hap dyert e Shqipërisë për figurat dhe kapitalin e lidhur me regjime oligarkike që Europa po përpiqet t’i largojë...
Ndërsa regjimi i Orbánit shembet në Hungari, njerëzit e tij më të afërt po transferojnë biznesin, kapitalin dhe influencën politike në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ka zotëruar prej vitesh artin e retorikës evropiane. Në samite ndërkombëtare ai flet për demokraci liberale, integrim, transparencë dhe për “Shqipërinë moderne”, ndërsa në korridoret e pushtetit ndërton një model krejt tjetër: një shtet ku kapitali politik dhe ekonomik përqendrohet në duart e një elite të privilegjuar, të një oligarkie të frikshme.
Dhe tashmë, duket qartë se kjo skemë nuk kufizohet më vetëm te klientët vendas të pushtetit. Shqipëria po projektohet gjithnjë e më hapur si një territor pritës për oligarkët e huaj që kërkojnë të mbijetojnë politikisht dhe financiarisht pas rënies së regjimeve që i krijuan.
Takimi i Edi Ramës me Gellért Jászai nuk ishte një takim teknik biznesi. Nuk ishte as një vizitë rutinë investitori. Ishte një sinjal politik. Ishte fotografia e një aleance të heshtur mes një pushteti që kërkon para dhe influence dhe një oligarku që kërkon territor të sigurt.
Në Budapest, Jászai nuk perceptohej thjesht si sipërmarrës. Ai ishte një nga figurat simbol të sistemit ekonomik të ndërtuar nga Viktor Orbán: një sistem ku biznesi privat ushqehej me fonde publike, ku kompanitë strategjike përfitonin privilegje politike dhe ku kufiri mes shtetit dhe interesit privat ishte zhdukur pothuajse plotësisht.
Sot, pas humbjes historike të kampit të Orbánit dhe ardhjes së një klime të re politike në Hungari, shumë nga emrat e lidhur me atë regjim po kërkojnë dalje emergjente. Dhe Shqipëria po shfaqet si një prej tyre.
Nuk është rastësi që Tirana po bëhet destinacioni i preferuar i kapitaleve të dyshimta dhe investimeve “strategjike” pa transparencë të plotë.
Shqipëria ofron pikërisht atë që oligarkët e tronditur nga ndryshimet politike kërkojnë më shumë: institucione të dobëta, mungesë kontrolli real mbi burimin e kapitalit, drejtësi ende të brishtë dhe një qeveri që i sheh investitorët jo si subjekte për t’u verifikuar, por si partnerë politikë për t’u mbrojtur.
Kjo është arsyeja pse Rama nuk do t’ia dijë për origjinën e influencës së Jászait, për lidhjet e tij me sistemin Orbán apo për fondet publike hungareze që ushqyen ngritjen e perandorisë së tij ekonomike. Përkundrazi, ai i hap dyert e Tiranës, i ofron platforma strategjike dhe i garanton klimën që çdo oligark post-autokratik do të dëshironte: një shtet mikpritës dhe një pushtet i gatshëm të negociojë gjithçka.
Kjo nuk ka të bëjë më me investime të huaja. Ka të bëjë me eksportimin e një modeli të korruptuar pushteti nga një vend në tjetrin.
Nëse modeli hungarez i “shtetit oligarkik” u ndëshkua politikisht në Budapest, pse po gjen terren të ri në brigjet shqiptare?
Përgjigjja është e hidhur, por e qartë: sepse Shqipëria po përdoret si zonë tranziti për interesa që në Europën Qendrore kanë nisur të hetohen. Sa më shumë afrohet momenti kur autoritetet e reja hungareze do të hapin dosjet financiare të viteve të fundit, aq më shumë bëhet urgjente për njerëzit e regjimit të vjetër të zhvendosin kapitalin, ndikimin dhe asetet në vende ku kontrolli institucional nuk ekziston. Shqipëria është perfekte për këtë operacion.
Ironia është se Rama vazhdon të shfaqet në Bruksel si kampion i reformave dhe i standardeve evropiane, ndërkohë që në terren po ndërton një model që i ngjan gjithnjë e më shumë versionit ballkanik të sistemit Orbán. Një model ku politika kontrollon ekonominë, ku oligarkët bëhen pjesë e arkitekturës së pushtetit dhe ku investimet strategjike përdoren për të konsoliduar rrjete influence që i mbijetojnë çdo debati demokratik. Kjo nuk është rruga drejt Europës; kjo është rruga drejt një republike hibride ku demokracia përdoret si dekor dhe kapitali politik si monedhë sundimi.
Dhe këtu lind pyetja më serioze për Shqipërinë e sotme: çfarë reputacioni po ndërtojmë? Një vend kandidat për Bashkimin Europian apo një “port të lirë” për oligarkët që largohen nga vendet ku klima politike po ndryshon?
Sepse çdo fotografi mes Ramës dhe figurave të lidhura me sisteme të akuzuara për korrupsion institucional nuk interpretohet më si diplomaci ekonomike. Interpretohet si garanci politike. Si mesazh se Shqipëria është e gatshme të strehojë jo vetëm kapitalin, por edhe hijet politike që ai kapital mbart pas vetes.
Koha e ambiguitetit ka marrë fund. Në Europën e sotme, askush nuk mund të pretendojë standarde demokratike duke ndërtuar aleanca me figurat simbol të oligarkive të rrëzuara. Çdo shtrëngim duarsh me një oligark që largohet nga hija e hetimeve politike në vendin e tij është një goditje direkte ndaj besueshmërisë së Shqipërisë si shtet europian. Dhe çdo heshtje diplomatike përballë këtij realiteti nuk është më neutralitet. Është bashkëfajësi politike./Pamfleti
Lini një Përgjigje